Rrezik nga cilësia e ajrit, shkak tymi i zjarreve

Rrezik nga cilësia e ajrit, shkak tymi i zjarreve

Njerëzit në Sidnej të Australisë sot u zgjuan të mbuluar nga tymi, si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë rajonin përreth. Autoritetet i kanë angazhuar më shumë se 1300 zjarrfikës për t’i luftuar flakët

Erërat e forta gjatë natës sollën tymin e zjarreve në Sidnej, duke e çuar cilësinë e ajrit, herë pas here, përtej niveleve të rrezikshme.

Në mediat sociale, vendasit përshkruan qiell të mjegullt dhe erë të keqe të tymit në shtëpitë e tyre.

Rreth pesë milionë njerëz jetojnë në Sidnej – kryeqytetin e rajonit Nju Sauth Uells, që është përfshirë nga zjarret tash e sa javë.

Gjashtë njerëz kanë vdekur nga zjarret e filluara qysh në tetor. Më shumë se 420 shtëpi janë shkatërruar nga zjarret vetëm në dy javët e fundit.

Ekipet e zjarrfikësve vazhdojnë të luftojnë me mbi 100 zjarre në Nju Sauth Uells dhe në Kuinsllend.

Banorët e Sidnejt u paralajmëruan për rrezik të madh nga zjarri të martën, pasi temperaturat u rritën në 37 gradë Celsius në perëndim të qytetit.

Zyrtarët shëndetësorë i këshilluan njerëzit të qëndrojnë brenda dhe të shmangin aktivitetin fizik. Meteorologët kanë paralajmëruar se temperaturat mund të arrijnë në 40 gradë dhe se nuk priten reshje shiu./21Media