Klubi ka reaguar menjëherë pas akuzave për një kërkesë të KB Prishtinës

Klubi ka reaguar menjëherë pas akuzave për një kërkesë të KB Prishtinës

Klubi i Basketbollit Prishtina ka reaguar me një shkrim në faqen e saj zyrtare të rrjetit social Facebook pas akuzimeve për kriminalitet ekonomik.

Në këto ditë është përfolur shumë një kërkesë e KB Prishtinës për ndihmë, e cila ishte 30 mijë euro. Ndihma thuhet se i ka ardhur nga shteti.

Mirëpo klubi ka reaguar menjëherë duke thënë se këto janë gënjeshtra të cilat janë bërë për t’ia ulur imazhin e klubit më të madh të Kosovës dhe ka kërkuar nga adhuruesit dhe ‘Plisat’ që të mos bien pre e tentimeve për ta dëmtuar klubin.

Shkrimi i KB Prishtinës:

Të dashur Plisa,

Të nderuar adhurues të Klubit të Basketbollit Sigal Prishtina,

Edhe pse nuk kemi dashur ta komentojmë këtë temë të konsumuar, ne për hir të opinionit dhe adhuruesve të klubit tonë, si dhe për hir të informimit të drejtë e korrekt, kemi vendosur të dalim me sqarim.

Këto ditë nëpër disa media ka qarkulluar një lajm i rrejshëm se kinse klubi i Prishtinës paska falimentuar dhe qenka përfshirë në kriminalitet!!!

Kur ne jemi në vlugun më të madh punëve për të gjetur forcë për ta tejkaluar krizën që e ka kapluar basketbollin e Kosovës, keqbërësit e këtij sporti së bashku me zhvatësit dhe keqpërdoruesit e pozitave civile në administratën e sportit brenda MKRS-së dalin nga zgafella dhe mundohen ta rëndojnë edhe më shumë këtë situat duke shpifur, njollosur dhe shantazhuar në forma të ndryshme.

Ne si kryesi kemi trashëguar klubin me borxhe jo të rregullta(të dyshimta), rrjedhimisht llogaritë e klubit janë bllokuar. Kemi tentuar të arrijmë marrëveshje me kreditorët e klubit, ku te disa kemi hasur në mirëkuptim e te disa jo. Në anën tjetër klubi është dashur të funksionojë. Për të qenë sa më transparent ne kemi vendosur që me çdo kusht të funksionojmë vetëm përmes llogarive bankare. Për këtë arsye i vetmi opsion i funksionimit ka qenë përdorimi i llogarisë së Akademisë Aba Basket e cila është pjesë përbërëse e KB Sigal Prishtinës, e cila llogari është 100% e rregullt dhe është përkrahur financiarisht nga institucionet më të larta, siç janë: Fiba, Fbk, Mkrs dhe Komuna e Prishtinës që nga viti 2013 dhe të gjithë kanë qenë në dijeni për këtë. Pra, asgjë e re.

A thua vallë çfarë të keqe dhe sekreti paska këtu?

Çfarë paska këtu kriminale kur dihet mirë se kjo llogari është shfrytëzuar vetëm e vetëm për interesa të klubit të basketbollit Sigal Prishtina ku një kohë u tentua që të shuhet, pikërisht nga këta përsona që ia duan të keqen Prishtinës, sepse nuk janë të Prishtinës dhe kanë inate e epshe kriminale, ashtu siç bëjnë në administratën e shtetit ku edhe përkundër obligimeve që kanë e shpërdorojnë detyrën në mënyrë flagrante.

Gjendja në basketbollin Kosovar është e rëndë. Edhe pse ka hyrë në fuqi ligji për sponsorizime nuk po zbatohet. KB Peja është pranë falimentimit, KB Bashkimi poashtu në vështirësi financiare, KB Trepça funksionon vetëm sa për të ekzistuar. Mbetet vetëm edhe KB Sigal Prishtina të goditet dhe të shantazhohet dhe përfundimisht të shërohen epshet kriminale e patologjike të njerëzve të sëmurë dhe të këqinjë.

Andaj, të nderuar adhurues të klubit më të madh shqiptarë, të nderuar Plisa, mos bini pre e këtyre tentimeve për ta dëmtuar këtë klub i cili ka bërë historinë në sportin tonë ekipor, pavarësisht shumë mundimeve dhe pengesave të individëve të cilët kanë dashur t’i shërojnë komplekset e tyre përmes këtij klubi. Pavarësisht krejt këtyre tentimeve qëllimkëqija dhe të ulëta ne ia kemi dalur që të ju bëjmë krenar juve dhe kombin.

Dhe për fund, duke mos dashur që t’i ngelim borxh personit i cili po e pështyn bukën të cilën e mori po nga kjo “akademi” kriminale, ja dëshmitë se me çfarë personi dyfytyrësh dhe demagog kemi të bëjmë, i cili do të duhej të jepte llogari para eprorëve të tij për mospunën, ikjen nga orari i punës dhe detyrat e rregullta, si dhe sulmet fizike ndaj personave të tjerë, duke keqpërdorur pozitën dhe autoritetin. Për më tepër këto dëshmi datojnë nga viti 2013.

Sa qyqar dhe i ulët ky person!

KB Prishtina do të vazhdojë t’ju bëjë Krenar, me shpresë se edhe këta keqbërësit dhe bukëpërmbystët e sojit të tillë do të ndihen mirë me sukseset e radhës.

Me shumë respekt,

KB Sigal Prishtina