Syla fajtor për mungesën e sigurimeve shëndetësore i ka lënë të gjitha Qeveritë e deritanishme, por edhe faktorin ndërkombëtar

Syla fajtor për mungesën e sigurimeve shëndetësore i ka lënë të gjitha Qeveritë e deritanishme, por edhe faktorin ndërkombëtar

Lëvizja Fol ka mbajtur një diskutim të hapur me temën “Politikat e punësimit: Ndikimi i sigurimit shëndetësor në punësim, me fokus në rini”. Në  këtë diskutim u tha se sigurimet shëndetësore janë një bazë e mirë për të ngritur mirëqenien dhe se duke u bazuar në përvojat e shteteve të tjera sigurimet shëndetësore do të ndikonin në rritjen e të punësuarve në Kosovë dhe në zvogëlimin e të papunëve. Qëllimi i këtij debati ishte që të diskutohet rreth sigurimit shëndetësor dhe ndikimit të tij që mund të ketë në punësim.

Gersi Gashi, duke bërë  prezantimin e të gjeturave nga hulumtimi “Ndikimi i Sigurimit shëndetësor në ekonomi të Kosovës”, tha se bazuar në përvojat e shteteve të tjera sigurimet shëndetësore do të ndikonin në rritjen e të punësuarve në Kosovë dhe në zvogëlimin e të papunëve.

Gashi paraqiti edhe rekomandimet që janë dal nga ky hulumtim, ku ndër to është edhe ulja e premiumeve në 5 përqind për të inkurajuar pjesëmarrjen në fond dhe ruajtur stabilitetin e fondit, përputhjen e çmimeve të premiumeve me parimet e ekonomisë së tregut për të minimizuar keqpërdorimin e sistemit, trajtimin e drejt të sektorit publik dhe privat, në ofrimin e shërbimeve shëndetësore duhet të sigurohet që nuk ka diskriminim apo favorizim të njërit sektor apo tjetrit, etj.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi tha se nuk është befasuese që qeveritë nuk nguten që t’i përmbushin obligimet e tyre për ligje, e jo vetëm për këtë ligj por edhe për shumë të tjerë. “Vetëm ne në Kosovë kemi mbetur pa pasur një ligj të sigurimeve shëndetësore edhe në regjion i kanë, përveç Kosova ka mbet dhe kjo nuk është diçka e mirë. Ne të mos kemi një ligj të sigurimeve shëndetësore se ky ligj nuk është vetëm që ka të bëjë me sigurimet shëndetësore, por shto këtu edhe çështjen e punësimit të të rinjve sidomos që për ne është një brengë më e madhe”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla fajtor për mungesën e sigurimeve shëndetësore i ka lënë të gjitha Qeveritë e deritanishme, por edhe faktorin ndërkombëtar. “Dikujt po i konvenon, e këtë dikujt po i konvenon po them edhe partive politike ju ka konvenuar kjo zhagitje. Është më së e qartë kush është fajtorë këtu, fajtor është qeveria e Republikës së Kosovës, por jo vetëm kjo qeveri. Por, kësaj do të ja bashkëngjis edhe faktorin ndërkombëtarë i cili është fondi monetar dhe Banka Botërore që me punime të ndryshme të ashtuquajtura që harxhohen miliona në këtë vend, kanë qitë shpesh herë rezultate të cilat e kanë dërguar në disfavor fillimin e mbledhjes së premiumeve”, tha ai.

Ndërkaq, Lumnije Hashani, nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se sfidë për fillimin e sigurimeve shëndetësore mbetet fillimi i mbledhjes së premiumeve.

Hulumtimi i Lëvizjes Fol ëhstë përkrahur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe implementohet nga “Helvetas Swiss Cooperation” dhe MDA.