Sigurimi bujqësor shumë i nevojshëm në Kosovë

Sonte në emisionin Start Up në RTV 21 u fol për sigurimet bujqësore

Bedri Kosumi, pronar i kompanisë Pestova deklaroi se të gjitha prodhimet e kompanisë së tij fillojnë nga arat. Bujqësia ballafaqohet me rreziqe të ndryshme natyrale, deklaron ai, e ne jemi vendi i vetëm në rajon që nuk kemi sigurime të fushave të hapura bujqësore. Sipas Kosumit sigurimi bujqësor është shumë i rëndësishëm, pasi në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore siç kanë qenë vërshimet e vitit 2015, fermerët humbin të mbjellat e tyre që u kanë kushtuar shumë në të mira financiare. Pronari i Pestovës thotë që ata kërkojnë vetëm sigurimet që i kanë edhe vendet fqinje, si sigurimet nga vërshimet, ngricat dhe breshëri. Kosumi deklaron se një sigurim i tillë duhet të bëhet, pasi jemi shumë keq në këtë drejtim.

Ekrem Gjokaj, drejtor i departamentit të analizave ekonomike dhe statistikave bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë deklaroi se një sigurim i tillë është prioritet edhe për Ministrinë e Bujqësisë. Sipas tij deri në vitin 2007 sektori i bujqësisë ishte lënë anash nga Qeveria, dhe nuk kishte mbështetje financiare, që ka filluar pas vitit 2007. Ai bën të ditur se edhe Kosova para luftës së fundit kishte sigurime në bujqësi për shkak të sistemit që ka qenë, por kjo ka ndryshuar pas luftës. Nga viti 2011 ka filluar mbulimi i disa dëmeve natyrore në fushën e bujqësisë, nga një fond që ishte pjesë e buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë, deklaron Gjokaj. Sipas Gjokajt procesi i sigurimeve bujqësore ka ngecur nga mosgatishmëria e bankave dhe kompanive të sigurimit për të punuar në këtë drejtim, shkruan rtv21.tv

Suzana Dautaj nga IFC, tregoi se Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC), është pjesë e Bankës Botërore që merret me promovimin e zhvillimit të sektorit privat. IFC po punon në Kosovë, në projektin që quhet ‘Financimi i bujqësisë për Evropë dhe Azi Qendrore‘, ku Banka Botërore dhe IFC punojnë me dy sektorët, atë publik dhe privat. Sipas saj ata kanë nisur punën në projektin e sigurimeve bujqësore, pasi prania e këtyre sigurimeve e ulë dhe e menaxhon rrezikun nga moti dhe fatkeqësitë e ndryshme natyrore. IFC po punon me Ministrinë e Bujqësisë në këtë drejtim, deklaron Dautaj, duke i ofruar trajnime të ndryshme për sigurimet shëndetësore edhe kompanive të sigurimeve, por edhe fermerëve. Përveç Ministrisë së Bujqësisë Dautaj thotë se projekti është pritur mirë edhe nga fermerët, shoqatat e kompanive të sigurimeve si dhe nga bankat./21Media

Back to top button