Sipas ministrit Shala, përmes granteve kompanitë do të ndihmohen në rritjen e tregut

Sipas ministrit Shala, përmes granteve kompanitë do të ndihmohen në rritjen e tregut

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë sot ka mbajtur konferencën informuese për lansimin e “Programit për Grantet e Përputhshme (PGP)”,  i cili për qëllim ka bashkëfinancimin me Ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) si dhe shoqatat e biznesit për fushat e standardizimit/certifikimit të produkteve si dhe shërbimet e zhvillimit të biznesit.

Në një komunikate për media bëhet e ditur se qëllimi i këtij  programit është mbështetja me bashkëfinancim ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme me potencial eksportues për certifikimet dhe standardet e produkteve, si dhe për qasjen në shërbimet për zhvillim të biznesit dhe në trajnime.

Me këtë rast, siç theksohet, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala fillimisht ka potencuar se Qeveria e Kosovës ka pranuar financim nga Grupi i Bankës Botërore për Projektin e Konkurueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport (CERP) dhe që Nënkomponenti 1.2 i CERP-it parasheh përkrahjen e bizneseve për të përmirësuar cilësinë e produktit dhe gatishmërinë për eksport, ku përfshin financimin prej 2.3 milionë eurosh për Programin e Granteve të Përputhshme (PGP).

Sipas ministrit, përmes granteve kompanitë do të ndihmohen në rritjen e tregut, në rritjen e eksportit dhe në zhvillimin e produkteve të reja, si dhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, duke ndikuar po ashtu edhe në profesionalizmin e tyre.

“Ky financim do të shërbejë shumë për kompanitë edhe në standardet ISO, ku do të ulin koston e bizneseve dhe do të kenë efekt në përmirësimin e cilësisë së sigurisë. Po ashtu standardet ISO i ndihmojnë kompanitë për të hyrë në tregje të reja, duke siguruar përputhshmërinë e produkteve dhe shërbimeve”, ka thënë Shala.

Në fund ministri Shala ka theksuar se beson se bizneset tona do ta shfrytëzojnë këtë mundësi të jashtëzakonshme për të përfituar nga mundësitë e këtij granti për t’u zhvilluar dhe që të jenë konkurrente edhe në tregjet e Bashkimit Evropian. /21Media