Sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna

Sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komuna

Procesi zgjedhor në katër komunat në veri të Mitrovicës, tanimë kanë filluar. Në njërën nga qendrat e votimit, që nga mëngjesi vërehet një interesim i madh i qytetarëve për të votuar.

Aty votoi edhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, i cili tha se është me rëndësi që secili ta kryej punën e vet, që zgjedhjet të kalojnë në mënyrën më të mirë të mundshme

“Shpresoj që këto zgjedhje do të shkojnë në mënyrën më të mirë të mundshme ashtu siç kanë filluar. Janë hapur të gjitha qendrat zgjedhore në bazë të informacioneve që kam dhe pa asnjë problem. Siç po e shiheni interesimi është i madh te qytetarët e Mitrovicës së Veriut që ta shfrytëzojnë të drejtën për të votuar dhe për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ajo çka është më me rëndësi, është që secili ta kryej punën e vet, që zgjedhjet të kalojnë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe që qytetarët të mund të vendosin vet për atë që kush do të mund t’i udhëheq në periudhën e ardhshme”, ka thënë ai.

Ai është shprehur i bindur se kandidatët e Listës Serbe do t’i fitojnë këto zgjedhje.

“Është fakti që unë jam thellë i bindur dhe të gjithë anëtarët e listës serbe se katër kandidatët e tyre do të arrijnë fitore të bindshme, jo për faktin se jam unë pjesë e listës serbe por e di që kjo është mënyra e vetme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë në këto hapësira”, tha ai.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve atje shkaku i taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.

Të drejt vote kanë 57.983 persona apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

Për zgjedhjet në veri garojnë 12 kandidatë nga Partia Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe.