Zyrtarët policorë në Gjakovë dhe ata në rastin e shtetasve turq zbatuan ligjet në fuqi

Zyrtarët policorë në Gjakovë dhe ata në rastin e shtetasve turq zbatuan ligjet në fuqi

Sindikata e Policia së Kosovës ka reaguar në lidhje me ngritjen e kallëzimeve penale ndaj 22 zyrtarëve policorë për rastin e njohur si “Gylenistët”.

Në reagimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës thuhet se janë të shqetësuar në lidhje me situatën e krijuar ndaj një numri të zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës lidhur me rastin e suspendimit të eprorëve dhe zyrtarëve policorë në Gjakovë, si dhe rasti i trajtimit të zyrtarëve policorë të angazhuar në rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq më 29 mars të vitit të kaluar.

Sindikata e PK-së thotë se të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre edhe në këto raste, sikur veprojnë edhe në të gjitha rastet e tjera gjatë zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, me përpikëri i kryejnë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në harmoni me dispozitat ligjore qe janë në fuqi duke i shërbyer vendit me dinjitet dhe profesionalizëm.

“Është brengosëse se si ata pa fajin e tyre prezantohen dhe linçohen pa bazë edhe pse ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e hetimit lidhur me këto raste. Në këto raste zyrtaret policor kanë zbatuar procedurat e parapara me dispozitat ligjore, Ligjit për Policinë, Ligjit për të Huajt dhe ligjeve tjera në fuqi, procedurat e parapara dhe asgjë tjetër”, theksohet në reagimin e sindikatës së Policisë së Kosovës.

Kjo sindikatë thotë se “Është e pajustifikueshme që gati pas një viti të rastit të ndodhur në Gjakovë të suspendohen epror dhe zyrtar policor të këtij stacioni”.

Sipas tyre, këta zyrtarë duhet të kthehen në vendet e tyre të punës, ndërsa procedurat në organe kompetente të vazhdojnë.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka theksuar se mbështet të gjitha veprimet e Policisë së Kosovës që janë të bazuara në ligjet në fuqi dhe kryerjen detyrave me dinjitet dhe profesionalizëm.

“Nëse vazhdon një përbuzje dhe trajtim i tillë i këtyre pjesëtarëve nga kushdo qoftë, sindikata do të shfrytëzoj të gjitha mjetet sindikale që ka në dispozicion për tu dal në mbrojtje. Sindikata kërkon nga institucionet e vendit të kryejnë obligimet e tyre karshi obligimeve që kanë ndaj këtij shërbimi”, thekson sindikata e PK-së.