Sindikata e Trepçës reagon ndaj deklaratës së BE-së

“Diskutimi për Trepçën cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës”

Përveç zyrtarëve të lartë të shtetit, edhe Sindikata e pavarur e minatorëve të Trepçës ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian, kur u tha që Trepça të jetë si temë e diskutimeve në dialogun Kosovë-Serbi.

Kryetari i kësaj sindikate, Shyqeri Sadiku ka thënë se Trepça është e minatorëve dhe është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës.

“Ne, Sindikata e pavarur e minatorëve të Trepçës reagojmë ashpër ndaj deklaratës së zëdhënëses së Komisionit Evropian, Maja Kocijancic që Trepça të jetë si temë diskutimi në dialogun në Bruksel. Trepça është e minatorëve, Trepça është pasuri kombëtare e Republikës së Kosovës. Diskutimi për Trepçën cenon direkt sovranitetin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Sadiku.

Ndryshe, kryeministri Haradinaj, kryeparlamentari Veseli dhe lideri i LDK-së Isa Mustafa kanë reaguar ndaj këtyre deklaratave të zyrtarëve të Komisionit Evropian.

Back to top button