Sinjale për liberalizim të vizave!

Hipper: Inkurajojmë shtetet e BE-së që t’i heqin vizat për Kosovën
Komisioni Evropian u ka bërë thirrje vendeve të Bashkimi Evropian që ta mbështesin liberalizimin e vizave. Në një përgjigje për RTV21 Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Qeveria e Kosovës ndërkaq ka shfaqur optimizmin se në mbledhjen e Këshillit  më 13 tetor do të votohet në mbështetje të liberalizimit të vizave.
Një zëdhënëse e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, i tha RTV21 se Komisioni mban ende qëndrimin e se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe njëkohësisht i ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të votojnë në mbështetje të këtij procesi më 13 tetor në mbledhjen e Këshillit. Komisioni më 2018 pati dhënë vlerësimin e tij të plotë për përmbushjen e të gjitha kritereve nga ana e Kosovës.
“Për të mbështetur vendimmarrjen e shteteve anëtare, ne do të prezantojmë këtë vit raportin tonë të zgjerimit 2022 të shoqëruar me një përditësim teknik për çështjen e liberalizimit të vizave. Aktualisht jemi duke punuar në përgatitjen e këtij përditësimi teknik në konsultim me Presidencën e Këshillit dhe Shtetet Anëtare. Ky përditësim do të jetë vetëm një dokument teknik, duke paraqitur një gjendje të përditësuar që lidhet me standardet e liberalizimit të vizave, për të mbështetur diskutimet në Këshill. Është vlerësimi ynë se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Përditësimi teknik nuk do të përbëjë një vlerësim të ri dhe nuk do të shtojë ndonjë kusht apo pikë referimi të ri”, ka deklaruar per RTV 21 Anitta Hipper, zëdhënëse e Komisionit Evropian.
Ndërkohë, Qeveria në Prishtinë i tha televizionit tonë se përmes vizitave bilaterale janë të angazhuar që liberalizimi i vizave të ndodh sa më shpejtë. Këshilltari i zë/kryeministrit, Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, vlerëson se puna direkte me Francën, përmes marrëveshjeve bilaterale dhe shkëmbimeve në fushën policore e të migrimit, ka sjellë rezultati që Franca ka deklaruar në Samitin e Qershorit se nuk është më bllokuese e procesit. Përpos Francës, Kadiu thotë se Qeveria ka punuar ngushtë edhe me disa vende të tjera anëtare për të bërë maksimumin në shuarjen e çdo skepticizmi të mundshëm.
“Vizita e zëvendëskryeministrit Bislimi në Pragë në fillim të shtatorit dhe raporti i detajuar teknik për Komisionin Evropian me theks në arritjet në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, riatdhesimin, menaxhimin e azilkërkuesve e migracionit, kanë bërë që kjo çështje të futet në agjendën e Këshillit, në formatin e Grupit Punues të Vizave. Deri më tani, kemi marrë sinjale pozitive dhe jemi optimistë për dhënien e mesazheve po ashtu pozitive nga ana e BE-së. Duhet theksuar se takimi i datës 13, nuk është ai final por është një nga hapat e rëndësishëm të procesit teknik për të mbërritur deri në vendimin final”.
Anëtarja e Komisionit për Integrime Evropian, Arbëreshë Kryeziu, vlerëson se aktualisht nuk ka vende skeptike për liberalizimin e vizave, ndonëse ka hezitime nga Holanda që të deklarohet se do ta mbështes Kosovën në këtë proces. Kryeziu shprehet optimiste se më 13 tetor Këshilli i Ministrave të BE-së do të votojë në favor për Kosovën.
Njohësi i integrimeve evropiane, Shqiprim Pula, thotë se për ta shtyrë procesin e liberalizimit të vizave përpara nuk mjafton vetëm aspekti deklarativ, por kërkon nga Qeveria që të shtojë kapacitetet profesionale që të lobojë tek të gjitha vendet evropiane për liberalizimin e vizave.
Edhe në qoftë se më 13 tetor Këshilli do të votojë në favor për liberalizimin e vizave, deri tek udhëtimi pa viza ky proces duhet të kalojë edhe në disa institucione për të marrë shqyrtimin final siç janë: Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe në fund procesi i vizave do t’i rikthehet Këshillit të Evropës për formalizim të procesit. Kjo sipas njohësve të integrimeve evropiane mund të marrë kohë deri në fillim të vitit të ardhshëm./21Media

Back to top button