13 persona më pak të vdekur sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar

13 persona më pak të vdekur sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar

Institucionet përgjegjëse për sigurinë në trafikun rrugor janë mbledhur sot për të harmonizuar aktivitetet lidhur me sigurinë pranë shkollave. Është vendosur që të ketë prezencë të shtuar të policisë në afërsi të shkollave, sidomos atyre në rrugë nacionale.

Në konferencën e Policisë së Kosovës, u tha se numri i aksidenteve me fatalitet, për periudhën janar-gusht të këtij viti, krahasuar me vitin 2018, ka shënuar rënie.

Tani kur po afrohet fillimi i vitit shkollor, institucionet po përgatiten për një siguri më të madhe në trafik, në rrugët që i përshkojnë nxënësit për të shkuar në shkollë.

Policia e Kosovës, Ministria e Arsimit, ajo e Infrastrukturës, Drejtoria e Arsimit dhe ajo për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, kanë mbajtur sot një takim në Policinë e Kosovës, ku janë marrë vesh për aktivitetet e përbashkëta që do t’i ndërmarrin për rritjen e sigurisë së trafikut në rrugë, sidomos pranë shkollave.

Nënkolonel Jeton Rexhepi nga divizioni i trafikut bëri të ditur se ka rënie të numrit të aksidenteve me fatalitet.

“Sa i përket gjendjes së sigurisë në trafikun rrugor nga data 1 janar deri më 29 gusht 2019, nëse e krahasojmë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar 1 janar – 29 gusht, mund të ju themi që numri i aksidenteve me fatalitet dhe persona të vdekur ka shënuar rënie. I kemi 13 persona më pak të vdekur sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, apo 15.83%. Numri i aksidenteve më lëndime është në rënie për 306, apo 7.47%, numri i aksidenteve në përgjithësi është në rënie për 224 raste, apo 2.15%, ndersa numri i aksidenteve më dëme shënon rritje për 1.37%”, tha ai.

Ai bëri të ditur se numri i identifikimit të kundërvajtësve nga ana e PK-së është në rritje për 7194 kundërvajtje më shumë, apo 2.65%.

Ndërsa tha deri në moshën 12 vjeç janë 5 persona që kanë humbur jetën gjatë këtij viti, nga mosha 13 deri 18 vjeç është 1 person, ndërsa mbi moshën 19 vjeç janë 52 persona që kanë humbur jetën.

Rexhepi tha se deri më tani janë 21 shoferë, 15 pasagjerë dhe 22 këmbësorë që kanë humbur jetën.

Ai gjithashtu bëri të ditur se PK do të shtojë sigurinë në rrugë me fillimin e muajit shtator.

“Edhe në muajin shtator të kemi siguri më të madhe në trafikun rrugor. Policia e Kosovës, përmes planit ka për qëllim që të ketë prezencë të shtuar policore sidomos në afërsi të shkollave, të cilat janë në afërsi të rrugëve nacionale apo rrugët e tjera lokale, me prioritet, po ashtu edhe shkollave të tjera të cilat gjenden edhe në zona më të brendshme, të qyteteve apo fshatrave. Po ashtu janë paraparë edhe ligjërata që do të ketë në pjesën teorike po ashtu do të ketë edhe në pjesën praktike, me nxënës, ne i quajm me policë të rinjtë, të cilët do t’i praktikojnë shenjat që mirren paraprakisht gjatë pjesës teorike”, tha ai.

Ndërsa Alush Istogu nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tha se i gjithë viti shkollor kërkon siguri dhe vetëdijesim të nxënësve në komunikacion rrugor.

“Ne po bëjmë një koordinim të përbashkët ndërministror, sepse dita e parë e fillimit shkollor dhe gjithë viti shkollor kërkon siguri dhe ngritje vetëdijesimi të nxënësve në komunikacion, dhe kjo në bazë të reformës së arsimit, dhe ndryshimit të kurrikulës në Kosovë, këto përmbajte janë të theksuara në disa lëndë mësimore ku çdo mësimdhënës, do të ketë mundësi të vetdijësojë dhe me ngritë përgjegjësinë dhe sigurimi ne nxënësve”, tha ai.

Medina Braha, drejtoreshë për shërbime publike në Komunën e Prishtinës, tregoi për veprimet që do t’i ndërmarrë komuna në këtë drejtim.

“Çka kemi paraparë tash për këtë vit dhe vitin e ardhshëm janë sinjalizimi horizontal i paralajmërimit të shkollave në rrugë, pra ato janë në dimensionale më të mëdha, vendoset me ngjyrë të verdhë, paralajmëron shkollën 30 deri 100 metra para shkollës dhe kemi pikërisht para shkollës atë trekëndëshin që është i njëjtë me trekëndëshin që është në sinjalizim vertikal që besojmë që do jep një dukshmëri shumë më të madhe vendeve ku janë shkollat afër”, tha ajo.

Nga Ministria e Infrastrukturës u rekomandua që prindërit që i kanë fëmijët në klasën e parë, t’i shoqërojnë ata deri në shkollë, dhe anasjelltas, ndërkohë të përdorin vazhdimisht vendkalimet për këmbësore dhe trotuaret e mundshme.

Në këtë konferencë, Policia e Kosovës kërkoi nga prindërit që t’i kushtojnë më shumë kohë fëmijëve për rregullat e trafikut rrugor.