Limaj: Ende ka punë për të eliminuar të gjitha pengesat biznesore

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj tha se vendi po futet me një fazë dhe qasje të re të zhvillimit të saj

Sipas tij Qeveria e Kosovës ka prioritete të mëdha, ndër to fuqizimi i prodhimit vendor si parakusht rritjen e numrit të punësimit dhe ngritjes së mirëqenies së qytetarëve, që po ashtu ka ndikim në zhvillimin ekonomik.

Këto komente zëvendëskryeministri Limaj i tha në tryezën “Prodhimet vendore në supermarkete-rregullimi i tregtisë së brendshme” organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës.

Me këtë rast Limaj tha se Qeveria do të jetë partner i biznesit për fuqizimin e ekonomisë së tyre.

Mirëpo, sipas tij ende ka punë për të bërë për të eliminuar të gjitha pengesat biznesore.

Prioritet sipas tij, është prodhimi vendor. Masat e marra nga Qeveria janë një përparësi për bizneset që ka hequr taksat doganore për lëndën e parë.

“Këtë treg të egër do ta rregullojmë duke mbrojtur interesat vendit. Pa asnjë dilemë është respektimi i tregtisë së lirë, por natyrisht se ka rregulla që duhet të respektohen në mënyrë ligjore. Është shqetësuese se 90 përqind e marketeve tona janë të mbushura me mallra të importuara, ndërsa vetëm 10 përqind me prodhime vendore”, tha Limaj.

Kjo gjendje sipas tij duhet ndryshuar për dobi të shtetit tonë.

“Kjo praktikë 90 me 10 do të hiqet, në mënyrë ligjore nga MTI që t’i japim mundësi vendit dhe të rinjve”, tha ai.

Limaj apleoi që të trajtohen në mënyrë të barabartë prodhuesit. Duke mbrojtur vendimin për masat që janë marr ndaj industrisë së miellit Limaj tha se do të ndërmerren masa edhe ndaj produkteve të tjera të importuara.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani theksoi se të gjitha të gjeturat duhet të merren për bazë me një ligj sa më të mirë për tregti të brendshme dhe të jashtme.

“Prioritet kemi fuqizimin e biznesit dhe përkrahjen e prodhuesit vendor. Kemi marr masa aty ku kemi mundësi dhe aty konform mbrojtjes së prodhuesit. Duhet të bëhen hetime për rregullimin e tregut, por gjithnjë në bazë të fakteve. Ne si MTI kemi bërë strategjinë ku parashihen për heqjen e barrierave dhe krijimin e lehtësirave për bizneset”, tha Hasani.

Sipas rangimit botëror, sot bëhet publik se Kosova renditet në vendin e 61, dhe sipas Hasanit ky është një lajm i mirë.

Astrit Panxha drejtor ekzekutiv në Klubin e Prodhuesve tha se kjo është një prej aktiviteteve të shumta që është duke organizuar Klubi. Sipas tij, një prej rezultateve të institutit Riinvest është shqetësuese numri i madh i produkteve të importuara.

Diellza Gashi nga Instituti Riinvest ka prezantuar raportin e rekomandimeve të studimit “Marrëdhëniet në mes të prodhuesve vendorë dhe shitësve me pakicë”. Në këtë studim ajo ka përmendur se ka parregullsi në treg dhe probleme më të cilat hasin prodhuesit vendorë.

Back to top button