Sekretari i përgjithshëm i FFK-së shpreson që do t'ia dalin me ndihmën e Federatës Daneze

Sekretari i përgjithshëm i FFK-së shpreson që do t’ia dalin me ndihmën e Federatës Daneze

​Federata e Futbollit të Kosovës ditë më parë ka njoftuar se sistemi VAR do të fillojë të implementohet në stadiumet e Kosovës qysh nga viti i ardhshëm.

Gjatë punimeve të Top Executive Programme të UEFA-s janë mbajtur në Bukuresht të Rumanisë, Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë programin për VAR, i cili do të fillojë të testohet në ndeshjet që Kombëtarja e Kosovës do t’i luajë si vendase, derisa në të ardhmen planifikohet fillimi i kësaj teknologjie edhe në kampionatin vendor, duke e implemtuar atë edhe në disa prej stadiumeve në Kosovë. Mirëpo, duke parë infrastrukturën sportivë në Kosovës, një gjë e tillë po duket shumë e vështirë.

I kontaktuar nga Kp, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Kosovës në Futboll, Eroll Salihu nëpërmjet telefonit u shpreh se një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë, por me ndihmën e Federatës Daneze të Futbollit, shpreson që në fund t’ia dalin.

“Do te fillojmë hap pas hapi, së pari do të fillojmë me ndeshjet ndërkombëtare të Kosovës, ku do të trajnohet stafi e më pas do të mundohemi në disa prej ndeshjeve të Superligës ta përdorim sistemin VAR. E dimë që një gjë e tillë do të jetë shumë e vështirë dhe e kushtueshme për Federatën e Futbollit të Kosovës, por me ndihmën e Federatës Daneze të Futbollit, shpresojmë që t’ia dalim”, tha Salihu.

Ndërsa trajneri dhe analisti Erdin Hashani fillimisht u shpreh se Kosova së pari duhet t’i rregullojë stadiumet, pasi që janë shumë pak stadiume të cilët i plotësojnë kushtet për implemntimin e sistemit VAR.

“Është një gjë shumë e mirë, por duhet ta kemi parasysh se përveç stadiumit “Fadil Vokrri”, që i plotëson kushtet për VAR, unë mendoj që stadiumet tjera nuk i plotësojnë kushtet. Ndoshta kjo është një ndër arsyeje që ne më së pari duhet t’i rregullojmë stadiumet pastaj me ardh VAR-i tek ne, për shkak se në qoftë se e shikojmë janë tri katër stadiume që as zhveshtoret për futbollistë mysafir nuk janë të pajisura ashtu siç duhet, domethënë me kushtet elementare. Unë mendoj që është i mirë VAR-i por prapë është herët sepse nuk mjaftojnë kushtet, së pari duhet me pas futbollistët kushte elementare, mandej me fut VAR-in në Ligë”, tha ai.

Sipas Hashanit, klubet do ta keqpërdorin sistemin VAR në Kosovë, duke e kërkuar atë në çdo ndërhyrje pa marrë parasysh nivelin e saj. Ndërsa, ndeshja me sistemin VAR në Kosovë, sipas tij, do të zgjasë gjithmonë më shumë se 90 minuta sa zgjatë zakonisht.

“Mendoj që kjo është e mirë, por edhe është me dy gjëra kisha me thënë edhe e mirë, edhe e keqe për shkak se VAR-i, i ka ato kushtet e veta që nuk duhet të kërkohet në çdo ndërhyrje apo në çdo faul që bëhet, nëse e shikojmë VAR-in në karton të kuq apo penallti dhe kështu që unë mendoj që kanë me keqpërdorë shumica e klubeve ose futbollistëve sepse kanë me kërkuar në çdo ndërhyrje që do të bëhet. Kështu që nuk është esenca që çdo ndërhyrje të kërkohet VAR-i”, përfundoi Hashani.

Analisti tjerër i futbollit kosovar, Ardian Llukmica fillimisht pohoi se implementimi i këtij sistemi në stadiumet e Kosovës është shumë i vështirë por jo edhe i pamundur duke parë punën e madhe që është duke e bërë Federata e Futbollit të Kosovës në këtë drejtim.

“Mendoj që në këtë fazë ku gjenden stadiumet, ku shumica prej tyre janë duke u rindërtuar apo në rinovime të ndryshme mendoj që paraprakisht duket e vështirë dhe do të jetë e vështirë, por nuk do të jetë gjë e pamundur sepse edhe sistemi online është bërë për dy muaj dhe është bë një platformë. Është e rëndësishme që të krijohet platforma shumë dhe më pas të praktikohet në teren. Mendoj që klubet duhet t’i hapin sytë së bashku me federatën në këtë fazë që të merren masat dhe të bëhet një përgatitje më e mirë, sidomos në pjesën mediale sepse ajo është dhe ende mbetet thembra e akilit në klubet tona”, u shpreh ai.

Në fund, Llumnica shprehu dyshimin e tij sa i përket klubeve kosovare, duke pohuar se si jemi ne, mund t’i bëjmë problem edhe këtij sistemi.

“Ndoshta në regjion jemi Federata kushtimisht po them jemi liga me më së shumti që i gjejmë arsyeje ose i gjejmë behane siç thotë populli gjykime dhe referimit, dhe kështu mendoj që është gjithsesi e mirëseardhur për klube dhe kështu duke e parë edhe nga natyra se si jemi ne mund ta bëjmë telashe edhe sistemin VAR. Por mendoj që është e mirëseardhur dhe ku është dita që ai të filloj dhe të praktikohet në futbollin kosovar”, u përfundoi Llumnica.

Kujtojme që stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë është i vetmi stadium në Kosovë ku mund të luhen ndeshjet kombëtare.