"Asnjëherë nuk e dimë sa prodhohet në Kosovë"

“Asnjëherë nuk e dimë sa prodhohet në Kosovë”

Mungon llogaridhënia dhe një strategji e mirëfilltë në Ministrinë e Bujqësisë për subvencionim e fermerëve në bujqësi, kështu u tha sot në tryezën “Debate në Riinvest” në kuadër të platformës që është diskutuar për ‘Skemat e Subvencioneve në Bujqësi’.

Visar Berisha nga Index Kosova theksoi se mjetet e parapara me programin prej 25 milionë eurosh duhet të kenë ndikim dhe qëndrueshmëri në bujqësi.

Berisha theksoi se për të krijuar stabilitet dhe rritje të prodhimtarisë në bujqësi, subvencionet duhet të ndahen në bazë të një analizë që fokusi me qenë në produkte specifike.

Ai shprehu edhe dyshimet për mos llogaridhënie dhe për keqpërdorimin e mjeteve për subvencione, pasi që sipas tij ka raste që fermerët pa punuar fare arën marrin mjete financiare direkte nga Ministria e Bujqësisë.

“Nuk mundem me u pajtuar për faktin që në Kosovë me u ndarë 25 milionë euro për subvencione edhe mos me pasur llogaridhënie për ato para. Një e treta e atyre parave shkojnë për drithëra, dhe një fermer që i ka pesë hektarë me drithëra punon me humbje. Kjo nuk ka kurrë farë kuptimi. Mos t’i përmendim edhe rastet që pa mbjellë asgjë hiq ose me një rendiment minimal”, theksoi Berisha.

Edhe Faton Nagavci ekspert në bujqësi thekson se subvencionet për bujqit kosovarë duhet të ndahen në bazë të kritereve. Ai propozoi që subvencionet të ndahen në bazë të prodhimtarisë, edhe pse sipas tij, nuk ka statistika zyrtare për prodhimtarinë bujqësore.

“Paratë duhet me u përdorë për me zhvilluar bujqësinë. Propozimi im për subvencione është që me mbështetjen e përpunuesve, me kritere të caktuara është normale që zhvillohet edhe prodhimi. Te monitorimi, është shumë telashe me gjetur infomata për import dhe eksport”, theksoi Nagavci.

Për mungesë të statistikave në prodhimin e bujqësisë, foli edhe Shqipe Dema nga Ministria e Bujqësisë, e cili vlerësoi se asnjëherë nuk ka pasur të dhëna të sakta për prodhimtarinë në këtë sektor.

Ndërsa, shtoi se nuk kanë mundësi t’i maten ndikimet e programit të subvencionit për prodhimtarinë bujqësore nga fermerët përfitues.

“Për shkak se nuk kemi statistika të sakta në përgjithësi, asnjëherë nuk e dimë sa prodhohet në Kosovë. Ndahet subvencioni 400-500 euro për hektarë, nuk mundesh me kontrolluar se a e përdorë fermeri. Kështu që kjo nuk mundet me pasur direkte ndikim, ndikim ka program për zhvillim rural që rritë sipërfaqen”, tha Dema.

Ndërsa, Enisa Serhati nga Instituti Riinvest, ngriti çështjen e monitorimit dhe llogaridhënies për 25 milionë euro për subvencionet në bujqësi, edhe pse ajo vlerësoj që nuk janë si shumë e madhe krahasuar me shtetin e Maqedonisë që ndanë rreth 200 milionë euro për programin e subvencioneve.