Nisin hetimet

Nisin hetimet

Prokuroria e Prishtinës ka nisur gjuetinë e shtrigave ndaj njerëzve të cilët zbuluan skandalin e lirimit nga përgjegjësia për shmangie tatimore të Morena Tarakut me rastin e importimit të një veture.

KALLXO.com raportoi para disa ditësh për rastin kur me urdhër të Prokurorisë së Prishtinës rasti ishte mbyllur duke konstatuar se gjatë importit nuk ishte kryer shmangie tatimore edhe përkundër që Dogana e kishte konstatuar një gjë të tillë.

KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës e cila mbylli rastin, ka nisur hetime penale për zyrtarët brenda Doganës e Policisë së Kosovës të cilët kishin qasje në dosjen e lëndës për të zbuluar se si u publikua në media ky skandal.

Prokurori i rastit Shpend Krasniqi i ka thënë KALLXO.com se rasti është nën hetime dhe nuk mund të japin informacione të tjera.

“Rastit është nënë hetime, nuk jap informacione”, ka thënë Krasniqi.

Ligji për sinjalizuesit garanton mbrojtje për të gjithë zyrtarët shtetërorë të cilët, me qëllim interesin e publikut, zbulojnë të dhëna rreth pretendimeve për abuzim me detyrën.

Ky ligj iu ofron mbrojtje nga të gjitha format e përndjekjes ndaj atyre që për interes publik shpalosin informacion i cili vë në dukje se është duke ndodhur apo ka gjasë të ndodhë ndonjë keqpërdorim.

Neni 6 i Ligjit për Sinjalizuesit pengon çfarëdo forme të pengimit të sinjalizimit.

“Çdo veprim ose mosveprim që synon pengimin e raportimit apo shpalosjes në interes publik, është i pavlefshëm dhe zyrtari përgjegjës apo cilido person tjetër në rastet përkatëse ndiqet penalisht sipas dispozitave penale në fuqi në Kosovë”– përcaktohet në Ligjin për Sinjalizuesit.

Për më tepër, hakmarrja ndaj Sinjalizuesve është edhe vepër penale e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

I pyetur nëse prokurori e ka lexuar këtë ligj dhe është duke e trajtuar rastin konform këtij ligji, prokurori Krasniqi nuk ka dhënë detaje.

“Nuk mund të flasë”, është përgjigja e tij në pyetjen nëse e ka lexuar ligjin për sinjalizuesit.

KALLXO.com ka tentuar të flasë me Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi për të marrë një qëndrim rreth vendimit të prokurorisë së shtetit për të përndjekur sinjalizuesit, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

KALLXO.com mëson se disa nga ambasadat e akredituara në Kosovë janë angazhuar për të përcjellë nga afër veprimet e Prokurorisë së Prishtinës.

Prokuroria e Prishtinës ndodhet në një situatë të konfliktit të interesit për shkak se vendimet për mbylljen e këtij rasti janë kryer nga prokurorë dhe menaxher të kësaj prokurorie.

Me një shkresë të veçantë pas publikimit të rastit, KALLXO.com i ka kërkuar Prokurorisë Speciale të hetojë për motivet që e shtynë Prokurorinë e Prishtinës të mbyllte rastin e Morena Tarakut. Gjatë ditës, as Ushtruesi i Detyrës i Kryeprokurorit Special, Afrim Shefkiu, nuk ka dhënë detaje për trajtimin e kësaj shkrese.

Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës në një prononcim për KALLXO.com nuk ka dashur të komentojë rastin duke thënë se KPK është organi i cili merret me rastet e pretendimeve disiplinore.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi, por ai nuk është përgjigjur në telefonatat e ekipit të KALLXO.com./kallxo