Policia në Shqipëri ka vënë në pranga një 30-vjeçar në Lezhë

Policia në Shqipëri ka vënë në pranga një 30-vjeçar në Lezhë

Arjan Neli nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka hapur një llogari me emrin “Rilindje”.  Në këtë faqe, ky shtetas, ka postuar një status në emër të Kryeministrit, duke u bërë thirrje qytetarëve për solidarizim duke kontribuuar në vlera monetare në dy numra llogarie, të cilat ky shtetas i kishte publikuar në këtë status.

Numrat e llogarisë ishin llogari private të këtij shtetasi dhe se gjatë kësaj kohe të shkurtër qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e këtij mashtrimi duke bërë derdhje shumash të ndryshme.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Inteligjencës Financiare dhe të sistemit bankar kanë marrë masa për bllokimin e kësaj llogarie.

“Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe në dhënien ndihmë të çdo qytetari në nevojë. Policia e Shtetit dënon çdo fenomen abuzimi në këto momente kritike për të gjithë dhe ju informon se nëpërmjet strukturave të specializuara të saj, si dhe në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese është duke punuar intensivisht për kontrollin, monitorimin e vazhdueshëm të situatës, zbulimin dhe goditjen e çdo rasti të abuzimeve me këtë situatë të fatkeqësisë natyrore” tha zv/drejtoresha e përgjithshme të Policisë së Shtetit, Aida Hajnaj, gjatë një deklarate për mediat.

Ashtu siç është bërë e ditur vazhdimisht nga strukturat shtetërore, i vetmi kanal unik shtetëror për ofrimin e donacioneve apo ndihmave është nëpërmjet portalit e-albania/dhuro.

Policia e Shtetit, duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjitha familjet e dëmtuara, thotë se mbetet e angazhuar maksimalisht, në misionin e saj në shërbim të qytetarëve. Për çdo denoncim apo sinjalizim të çfarëdolloj abuzimi apo shkeljeje të ligjit, telefononi në numrin 112./oranews