Matoshi: Ekspozimi i simboleve të shtetit është kulturë

Matoshi: Ekspozimi i simboleve të shtetit është kulturë

Këshilltari politik i kryeministrit, Ramush Haradinaj, Halil Matoshi në “Click” të RTV21 ka treguar se si erdhi deri te zëvendësimi i flamurit kombëtar me atë të shtetit të Kosovës në hyrje të Prishtinës apo “Te Rrethi”.

Matoshi tha se kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e sotshme të qeverisë ka urdhëruar që të vendosët flamuri shtetëror në hyrje të Prishtinës dhe sipas Matoshit kjo ka qenë një kërkesë shumë normale e kryeministrit Haradinaj.

“Ne megjithatë jemi shtet, jemi 10 vjet shtet dhe një memorie shtetërore duhet me në fund që të përkujdeset dikush që të vendosë në këtë vend. Një dekadë na ka shkuar duke i përbuzur simbolet shtetërore”, tha Matoshi, shkruan rtv21.tv

Matoshi tutje tha se ekspozimi sipas ligjit i simboleve të shtetit është kulturë dhe përbuzja dhe mos-ekspozimi i tyre në data të caktuara dëshmon mungesë totale të kulturës.

“Une i kuptojë emocionet e qytetarëve, flamuri i kuq e zi është dëshmi e një identiteti të qëndrueshëm etnik të shqiptarëve, mirëpo rrethanat politike kanë sjellur tek ne identitet të ri”, tha Matoshi.

Ndryshe para pak minutash në një situatë të tensionuar, me praninë e forcave policore dhe shumë qytetarëve, është hequr flamuri kombëtar dhe është vendosur flamuri i Kosovës në hyrje të Prishtinës./21Media