Jashari me bashkëpunëtorë ngushëllojnë familjen Abazi

Jashari me bashkëpunëtorë ngushëllojnë familjen Abazi

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari sot vizitoi familjen Abazi, në fshatin Livoç të Gjilanit.

Në tërmetin tragjik të së martes në Shqipëri humben jetën dy vëllezërit kosovarë, Shemsedin dhe Isah Abazi.
Si shenjë solidarizimi me viktimat e tërmetit Bekim Jashari ia dhuroi 5 mijë euro familjes Abazi.

“Sot, së bashku me bashkëpunëtorë ishim në vizitë te familja Abazi në fshatin Livoç, i ngushlluam për djemtë e tyre të cilët vdiqën nga tërmeti në Shqipëri dhe në shenjë solidarizimi me ta, i dhuruam 5000€ familjes nga shuma që janë mbledhur nga takimi fillestar që kishim dje me biznese të komunës tonë, ku në total u mblodhën 57,800.00€ për personat e prekur nga tërmeti në Shqipëri”, ka shkruar i pari i Skënderajt.

Në fund Jashari u shprehu ngushllime të gjithë familjarëve që humbën të dashurit e tyre në Shqipëri!

“Lusim Zotin që raste të tilla të mos përsëriten”, tha Bekim Jashari.

Ndërkohë sot qeveria shqiptare ka ndarë 16 mijë euro, ndërsa Ministria e Financave të Kosovës ka ndarë 20 mijë euro për ta ndihmuar familjen Abazi.

Tërmeti i ditës së martë me magnitudë 6.4 ballë mori jetën e 51 personave.

Në prill të vitit 1979, një tërmet me magnitudë 6.9 ka goditur Shqipërinë dhe shtetin fqinj, Malin e Zi, duke lënë 136 persona të vdekur dhe më shumë se 1 mijë të lënduar./21Media