“Skiatorët kanë shfrytëzuar majat jashtë pistave dhe kanë pësuar”

Detaje rreth fatkeqësisë së sotme në Brezovicë

Drejtori i Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë, Ilir Morina ka dhënë detaje rreth rënies së ortekut të borës në Brezovicë, nga i cili sot ka vdekur zëvendësministri i Diasporës, Arian Daci, ndërsa ka mbetur i lënduar, Ardian Bakalli.

Morina ka bërë të ditur se afër vendit të quajtur “Qafa e Luanit” kanë ndodhur dy orteqe të borës, derisa njëri ka qenë më i furishëm, si pasojë e së cilit ka vdekur Arian Daci, ndërsa zyrtarët e AKMM-së kanë arritur të shpëtojnë Ardian Bakallin.Ai ka bërë të ditur se personi i shpëtuar është në gjendje të mirë.

“Policia e kosoves ka arritur ne vendin e ngjarjes kurse FSK pasi që është nisur i eshte urdhëruar të kthehen sepse më nuk ka nevojë per ta. Skiatorët kanë shfrytëzuar majat jasht pistave dhe fatkeqësisht kanë pësuar. Situata është e qetë, pastrimi i borës në rrugë dhe parkingje ka vazhduar gjatë gjithë ditës”, ka shtuar Morina.

Drejtori i Agjencisë për Mbrojtje të Mjedisit në Kosovë ka apeluar të gjithë ata që duan ta vizitojnë Brezovicën të kenë automjete me pajisje adekuate, por edhe të jenë të pajisur për kushte dimërore për qendra skijimi.

Arian Daci ishte djali i akademikut, Nexhat Daci. Ai ishte zëvëndës-ministër i Diasporës, në të cilën ishte emëruar në nëntor të vitit 2017.

Pas fatkeqësisë në Brezovicë kanë reaguar krerët e lartë vendor, të cilët i kanë shprehur ngushëllime familjes Daci./21Media

Back to top button