Sllovenia fiton betejën me Kroacinë për detin Adriatik

Sllovenisë iu është dhënë e drejta për dalje në ujërat e Adriatikut

Kryeministri slloven Miro Cerar e quajti sot “moment historik” vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të arbitrazhit në Hagë, sipas të cilit Sllovenisë në kontestin territorial me Kroacinë i jepet dalje në ujërat ndërkombëtare të Adriatikut.

Gjykata e arbitrazhit për kontestin kufitar Kroaci-Slloveni vendosi sot që Sllovenia të marrë nga Kroacia qasje në detin e hapur përmes korridorit të gjerë 2.5 mile nautike. Më herët ishte vendosur që pjesa më e madhe e Gjirit të Piranës i takon Sllovenisë.

“Vendimi i gjyqit të arbitrazhit është përfundimtar dhe obligon juridikisht të dyja shtetet, Slloveninë dhe Kroacinë. Ky vendim paraqet moment historik për Slloveninë”, ka thënë kryeministri slloven në konferencën për media në Lubjanë.

Ai ka bërë të ditur se do të ftojë kolegun e tij kroat Andreja Plenkoviq për të filluar bisedimet për zbatimin e këtij vendimi.

Plenkoviq sot ka deklaruar se Kroacia nuk do të zbatojë vendimin e gjykatës së arbitrazhit për kontestin kufitar me Slloveninë dhe pret që pala sllovene të mos ndërmarrë hapa të njëanshëm.

Kroacia ka braktisur arbitrazhin në vitin 2015, pas skandalit në të cilin ishte përfshirë një gjyqtar slloven.

Parlamenti kroat atëherë i propozoi Sllovenisë që të fillojnë bisedimet për zgjidhjen alternative të kontestit, pasi që ishte vlerësuar se procesi i arbitrazhit ishte kompromituar pakthyeshëm kur ishte zbuluar se përfaqësuesi slloven në gjykatën e arbitrazhit Jernej Sekolec dhe zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë Simona Drenik u pajtuan që të paraqesin argumentet sllovene dhe të lobojnë te gjyqtarët tjerë të arbitrazhit.

Back to top button