Një emocion i rrallë pritet të përshkojë mbrëmjen e sotme shqiptarët anë e mbanë botës

Një emocion i rrallë pritet të përshkojë mbrëmjen e sotme shqiptarët anë e mbanë botës

Mbrëmjen e sotme zbulohet se kush do jetë fituesi i këtij viti i festivalit evropian të këngës që njihet si Eurovisioni.

Janë gjithsej 26 vende që do të performojnë sonte në finalen e madhe të Eurovisionit, e cila do të fillojë nga ora 20:00 me orën e Portugalisë dhe ora 21:00 me orën e Evropës.

Një emocion i rrallë pritet të përshkojë mbrëmjen e sotme shqiptarët anë e mbanë botës, pasi në skenë do të ngjiten tre shqiptarë, si rrallëherë më parë.

I pari nga tre shqiptarët që do të ngjitet në skenë është Eugent Bushpepa, i cili përfaqëson Shqipërinë në ‘Eurovision’ dhe do të performojë i 12-ti në radhë me këngën ‘Mall’.

Pas tij, e 25-ta në radhë do të jetë këngëtarja me origjinë shqiptare, Eleni Foureira, e cila përfaqëson Qipron. Ndërsa, i fundit do të ngjitet në skenë shqiptari Ermal Meta, i cili përfaqëson Italinë së bashku me Fabrizio Moro-n, derisa do të mbyllë dhe garën. Kjo bën që shqiptarët të kenë më shumë shpresa për të festuar mbrëmjen e sontme, pasi urojmë që njëri prej tre shqiptarëve të fitojë çmimin e madh.

Eugent Bushpepa dhe kënga e tij “Mall” kanë kaluar me suksese provat e para skenike menjëherë pas arritjes në Lisbonë duke i tejkaluar pritshmëritë. Derisa, Shqipëria është kritikuar shumë vitet e mëparshme për versionet anglisht të këngëve të saj ndërkohë që këtë vit çdo fjalë do të jetë në shqip pa humbur origjinalitetin dhe duke plotësuar pritshmëritë e publikut besnik të Eurosongut.

“Mendoj se Eurosong është një portë e madhe, një porte gjigande, përmes së cilës mund të përcjellim artin tonë dhe ndoshta publiku mund të prekë dhe të ndjejë emocionet që ne përpiqemi të japim në skenë”, tha Bushpepa.

Për këngëtarin përfaqësues të Shqipërisë, rëndësi të veçantë patën provat gjenerale të datës 07 Maj, një ditë para konkurrimit. Në këtë provë bëhet votimi nga juritë profesioniste të secilit vend, votim i cili, duke i bashkëngjitur edhe votat e publikut në mbrëmjen e transmetimit live, përcaktoi kalimin në finalen e madhe të datës 12 maj.