"Zana" fillon rrugëtimin nëpër botë

“Zana” fillon rrugëtimin nëpër botë

“Zana”, filmi i gjatë artistik i regjisores Antoneta Kastrati, sonte do ta ketë premierën botërore në Festivalin e Madh të Torontos së Kanadasë.

Protagonistja e këtij filmi, aktorja e mirënjohur kosovare, Adriana Matoshi, përmes një shkrimi në rrjete sociale falënderoi regjisoren Kastrati për rolin që i dha dhe u shpreh e entuziazmuar për premierën.

“Sonte për herë të parë në historinë shqiptare, një film kosovar do të jepet premierë botërore në Toronto. Kosova ka një histori, ka artistët e saj dhe ka forcë për t’i treguar botën se ne dimë. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që besuan në mua, veçanërisht regjisoren Antonteta që ma besoi rolin e Lumes. Kurrë nuk do të arrijë e vetme, pa ndihmën e artistëve dhe sonte do të shkëlqejë në fustanin e Drenusha Xharrës. Familja dhe shoqëria ime e dashur janë motivimi im! Sonte do t’ua shtrëngojë duart sepse e di që jeni me mua. Më uroni fat, ju dua shumë!”, shkroi Matoshi në Instagram.

Filmi “Zana” është një dramë tronditëse dhe emocionuese që përcjellë një grua të re kosovare që përpiqet të bëhet nënë përderisa ballafaqohet me tmerret nga kaluara e saj e errët e kohës së luftës.

Projekti Filmik “Zana” është po ashtu filmi i gjatë në të cilin motra e Antonetës, kinematografja e suksesshme Sevdije Kastrati e ka xhiruar filmin me kamerat dhe lentet e Panavision-it pasi që kanë fituar çmimin the New Filmmaker Grant.

Në rolet kryesore luajnë Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Fatmire Sahiti, Mensur Safqiu, Irena Cahani, Shengyl Ismajli, Vedat Bajrami, Çun Lajçi, dhe Ilire Vinca.

Ndryshe, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Toronto u hap me filmin dokumentar “Once Were Brothers”. Ky festival do të zgjasë deri më 15 shtator./21Media