Sot ditë zie në Kosovë

Për ndër të kontributit të policit të vrarë flamuri do të ulet në gjysmë-shtizë

Presidenti Hashim Thaçi e ka shpallur të shtunën ditë zie, për të nderuar policin e vrarë në detyrë, Izet Demaj.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas rënies heroike në mbrojtje të qytetarëve dhe në krye të detyrës të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Izet Demaj, ditën e shtunë më 29 dhjetor 2018, në shenjë nderimi shtetëror e ka shpallur ditë zie në Republikën e Kosovës. Në ditën e zisë shtetërore, në shenjë respekti për aktin heroik të policit Izet Demaj, në pajtim me legjislacionin në fuqi, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e presidentit.

Polici i rënë në detyrë, Izet Demaj do të varroset sot në ora 14:00 në varrezat e fshatit Vrellë të Komunës së Istogut. Ceremonia e varrimit do të bëhet sipas protokollit të policisë së Kosovës.

Sipas agjendes në orën 11:00 bëhet nisja e kortezhit nga fshati Vrellë e Istogut për në varrezat e dëshmorëve në Koshare, ndërsa arritja e arkivolit në Koshare është planifikuar në orën 13:30. Homazhet do të mbahen nga ora 13:30 deri në 14:00. Ndërsa me pas vazhdojnë fjalimet deri në orën 14:30. Nga ora 14:30 është planifikuar ceremonia e varrimit.

Në Istog më 27 dhjetor përveç policit Izet Demaj, i vdekur mbeti edhe grabitësi i bankës, Kamer Metaj, i cili paraprakisht kishte qëlluar për vdekje policin Demaj./21Media

Back to top button