Festivali trajton aspekte sociale dhe kulturore në kontekstin urban

Festivali trajton aspekte sociale dhe kulturore në kontekstin urban

 Sot filloi edicioni i tretë i Guerilla Art Festival (GAF) nga Qendra për Zhvillimin e Artit – Q`art tashmë të njohur për ndërhyrje me art në hapësirat publike. Ky edicion ka fokusin në pasurimin dhe shërimin e ambienteve publike përmes artit me përmasa të mëdha – MURALE.

Edicioni i tretë i GAF do të angazhoj të paktën 20 artistë vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshi edhe emrat si FatHeat (HU), TransOne (HU), StillSame (DE), Kayo (DE), SimianSwitch (NL).

“Urban Cure” siç titullohet ky edicion, qëllim ka shërimin e ambienteve publike me vepra arti për të mbuluar hapësirat me ngjyra të varfra, si dhe hapësirat e neglizhuara.

Në të njëjtën kohë Q’art ka shpallur ftesën për pjesëmarrës në punëtorinë Graffiti Technique, që do të udhëhiqet nga artistët Gjerman StillSame dhe Kayo.

Festivali mbështetet nga Komuna e Prishtinës si partner i kësaj iniciative, si dhe donatorë tjerë si Ambasada Gjermane, YIHR, POMO, Travellines, UrbanFM etj.

Festivali Guerilla Art Festival (GAF) trajton aspekte sociale dhe kulturore në kontekstin urban, si dhe ndihmon në përmirësimin e imazhit të qytetit. Festivali përmes aktiviteteve të ndryshme që ofron mundëson që krahas hapësirave publike të prezantohen pjesë të kulturës urbane duke i shndërruar ato në hapësira atraktive. GAF është festivali i parë i kësaj natyre në Kosovë, dhe është pjesë e aktiviteteve të mëdha kulturore të vendit duke i plotësuar imazhin si një shtet i ri Evropian.

Festivali krahas aktiviteteve ju jep shtytje artistëve të rinj dhe talenteve që t’i ndjekin punëtoritë që ofron festivali GAF.

Ne çdo edicion festivali zgjedhë lokacione të ndryshme për të pasur efektin më të gjerë si në hapësira ashtu edhe komunitete./21Media