Mësimi online do të fillojë nga ora 11:15

Mësimi online do të fillojë nga ora 11:15

Për shkak të situatës me koronavirus, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT) prej sot fillon së zbatuari procesin mësimor online për klasën e 1-rë deri në të 5-të, ndërsa shumë shpejt pritet të fillojë prodhimi i materialit për klasën e 6-të deri në të 9-ën dhe më vonë edhe për gjimnaze dhe shkolla profesionale.

Në një konferencë për media, ministrja e Arsimit Hykmete Bajrami deklaroi se mësimi në distancë nga klasa e 1-rë deri në të 5-ën do të jetë fillimisht në gjuhën shqipe dhe matematikë, të cilat do të transmetohen në RTK1 dhe RTK4.

Ajo tha se janë duke punuar edhe në dy platforma, ku njëra prej tyre do t’i përmbajë të gjitha xhirimet e disponueshme për mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit dhe tjetra do të përmbajë mësim alternativ, të ofruar nga operatorë privat.

Ndër të tjerash, ministrja Bajrami bëri të ditur se nga e hëna do të prodhojnë material për klasat nga e 6-ta deri në të 9-ën, e më vonë do të hyjnë edhe në gjimnaze dhe shkolla profesionale.

MASHTI bëri të ditur se mësimi online do të fillojë nga ora 11:15 në RTK1 dhe RTK4. Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Leonora Shala deklaroi se materiali i përgatitur është shumë i dobishëm për nxënësit.

Ndërsa, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti u shpreh se me anë të kësaj platforme të mësimit online, nxënësit nuk do të mbesin mbrapa në mësime, teksa u shpreh i bindur se do të kalohet edhe kjo sfidë me sukses.