Sot nis greva e përgjithshme e SBASHK-ut
SBASHK ka paralajmëruar se greva do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave
Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, nga dita e sotme do të hyjnë në grevë të përgjithshme. Përfaqësues të SBASHK-ut kanë paralajmëruar se greva do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Ndërsa, Këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Valmir Gashi dje në një prononcim për portalin rtv21.tv, tha se janë kundër grevës. Ai tha se MASHT i bënë apel SBASHK-ut që të mos e pengojnë procesin mësimor.
SBASHK ka njoftuar se do të tërhiqen nga greva vetëm nëse ngritet 30%, koeficienti i mësimdhënësve për paga.
Ndryshe, orari i mbajtjes së grevës së përgjithshme për të gjitha institucionet arsimore fillon çdo ditë nga ora 9:00 deri në orën 12:00.
“Ashtu siç edhe jeni të informuar, përmes mjeteve të informimit por edhe nga kryetarët e sindikatave të institucioneve tuaja, si dhe nga kryetarët e sindikatave të komunave tuaja, Këshilli Drejtues i SBAShK-ut në mbledhjen e vet të datës 10.01.2019, në mënyrë unanime ka marrë vendim që i tërë sistemi arsimor duke i përfshirë Çerdhet, Shkollat Fillore dhe të Mesme të Ulëta, Shkollat të Mesme të Larta dhe Universitetet të fillojnë Grevën e Përgjithshme nga data 14.01.2019, nga ora 9:00 deri 12:00, deri në realizimin e kërkesave.”, bëhet e ditur në postimin e SBASHK-ut në Facebook./21Media