Premiera nga ora 20:00

Premiera nga ora 20:00

Sonte do të jepet premiera e shfaqjes “Pushimi i kalorësve” me koreografi nga Natalia Osipova, që njëherësh do të shënojë edhe premierën e parë të Baletit Kombëtar të Kosovës për vitin 2020.

Një ditë para premierës, koreografja Natalia Osipova ka dhënë detaje për tematikën e shfaqjes.

“Historia e kalorësve është që vijnë mbas luftës dhe pushojnë në një pyll. Ka plot histori të vogla në këtë shfaqje komedi, është gjithmonë dashuria në të dhe lufta në shfaqje. Në fund gjithçka është mirë dhe buzëqeshim bashkë”, është shprehur ajo.

Osipova që ka realizuar edhe shfaqje të tjera në Kosovë, tha se beson që edhe në të ardhmen do të bashkëpunojë me Baletin Kombëtar të Kosovës.

Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës ka thënë se është bërë një punë e madhe për një kohë shumë të shkurtër.

“Është një balet klasik i zhanrit komedi. Është bërë një punë shumë e madhe për 21 ditë total, një punë shumë e palodhshme prej anës së balerinëve, prej anës së koreografes. Falënderoj shumë secilin që u kanë i përfshirë në këtë projekt, duke u nisur prej balerinëve, koreografes, rrobaqepësit komplet që kanë bërë një punë të shkëlqyer”, ka thënë ai.

Balerina Teuta Krasniqi ka bërë të ditur se kanë arritur që për një kohë shumë të shkurtër të realizojnë një shfaqje shumë të madhe, e për këtë ajo ka shtuar se nuk ka qenë e lehtë.

“Kisha dashur të falënderoj koreografen që për një kohë kaq të shkurt e ka bërë një shfaqje shumë të madhe, me vështirësi shumë të mëdha teknike. Nuk ka qenë aspak e lehtë, por ka pasur shumë durim dhe e falënderoj për durimin dhe për punën e palodhshme dhe për çdo gjë që e ka bërë për neve gjatë këtij procesi të punës. Gjithashtu edhe balerinët për krejt koordinimin që e kemi pasur bashkë dhe disiplinën për të mundësuar një shfaqje të vështirë teknike ta formojmë brenda kësaj kohë shumë të shkurt”, ka thënë ajo.

Baleti “Pushimi i kalorësve” do ta vihet në skenë sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës në orën 20:00, ndërsa reprizën e parë do ta ketë më 6 mars.