Në rend dite edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018

Në rend dite edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018

Kuvendi i Kosovës sot nga ora 10:00 do të mbajë seancë për shpërndarjen e legjislaturës aktuale e cila ende nuk ka përmbushur mandatin ligjor prej 4 vitesh.

93 deputetë që nënshkruan për thirrjen e kësaj seance, duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë atë që kanë nënshkruar, ndërsa pro shpërndarjes duhet të votojnë së paku 2/3 e deputetëve ose 80 vota, e cila e përcakton edhe kuorumin.  Nëse deputetët do të votojnë dhe Kuvendi do të shpërndahet, pritet që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi më pas të caktojë edhe datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Subjektet politike kanë shprehur tashmë publikisht qëndrimin për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt më 19 korrik nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.

Në nenin 66 të Kushtetutës thuhet se zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit, kurse në raste të shpërndarjes së Kuvendit, jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes.

Ndryshe, pikë e parë e rendit të ditës në seancën e sotme është shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, derisa shqyrtimi i propozimit të grupit të deputetëve për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë është pikë e dytë e rendit të ditës.

Legjislatura e gjashtë, e cila karakterizohet për mungesa të shpeshta kuorumi, u konstitua më 3 gusht 2017. /21Media