Proteston opozita në Shqipëri

Opozita në Shqipëri sot do të protestojë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë

Ndonëse opozita ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore do të angazhojë një numër të lartë punonjësish policie, të cilët pritet të sigurojnë mbarvajtjen e tubimit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një ditë përpara protestës së opozitës, deklaroi se do të “rrëzohet me forcën e bashkimit republika e vjetër e korrupsionit”.

“Nesër merr rrugën shpresa. Nesër bashkohen në këtë shesh qindra mijëra të rinj e të reja, sepse e dinë që me bashkimin e tyre dhe me vendosmërinë për të mos pranuar zgjedhje të diktuara nga krimi e droga, do t’i hapin rrugën arsimit dinjitoz. Do të marrë fund kaosi korruptiv me maturantët. Me ne bashkohen nesër qindra mijëra sipërmarrës të vegjël, të cilët kanë përjetuar taksat e larta dhe inspektorët e pashpirt. Republika e re do të çlirojë bizneset e vogla nga taksat e larta. Nesër bashkohen me ne qindra mijëra fermerë të lënë në dëshpërim. Zero subvencione dhe investime për ta. Por, nga ky shesh do i kthehet fermerëve shpresa dhe mundësia përmes subvencioneve dhe investimeve që produktet e tyre të shiten. Nesër bashkohen në këtë shesh pensionistët, me pensionet që u rritën më pak se inflacioni. Pensionistët bashkohen për republikën e re, që brenda 4 viteve do të mundësojë që pensioni minimal të jetë jo më pak se 250 mijë lekë (të vjetra) në muaj për çdo pensionist. Do të përgjysmohen edhe biletat e urbanit në të gjithë vendin”, tha Basha.

Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të shmangur incidentet apo situatat e dhunës.

Rreth 2 mijë efektivë nga 6 komisariatet e kryeqytetit do të jenë në terren ndërkohë që në gatishmëri do të kalojnë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe reparti RENEA.

Për të ulur tensionet, kordonet me police femra siç jemi mësuar të shikojnë në protesta të ngjashme, nuk pritet të mungojnë as paraditen e së shtunës.

Në terren dhe mes protestuesve nuk do të mungojnë as agjentët civilë ndërkohë që edhe qarkullimi rrugor ka marrë masa për shmangjen e trafikut në pikat hyrëse si pasojë e mjeteve që do pritet të vijnë nga rrethet./21Media

Back to top button