Ministri Bytyqi mban konferencë për media

Ministri Bytyqi mban konferencë për media

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi sot do të bëjë publik raportin e vlerësimit ndërkombëtar të nxënësve PISA 2018. Ai do të mbajë një konferencë për media në orën 10:00, ku edhe do të publikojë këto rezultate.

Ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, tani deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se sipas të gjitha gjasave rezultatet do të jenë të njëjta, pra nivel shumë i ulët i njohurive të nxënësve tanë. Ajo tha se kjo gjendje shumë brengosëse është kritikë e ashpër për trajtimin që i është bërë arsimit gjatë gjithë këtyre viteve si dhe kambanë për kujdes e angazhim të secilit në përmirësim të gjendjes ekzistuese.

“Këto rezultate janë alarm i fundit për vëmendjen, përgjegjësinë e përkushtimin që duhet të kemi në këtë drejtim. Të gjithë duhet të kthejmë sytë, kapacitetet e buxhetin drejt arsimit. Nuk mund të zhvillojmë ekonominë dhe mirëqenien, përparimin politik e kulturor pa edukim dhe arsimim të mirëfilltë. Edukimi është baza e zhvillimit jo vetëm individual por dhe shoqëror”, tha ajo.

Kosova është renditur në vendet me rezultatin më të dobët në testin PISA të vitit 2015, ku morën pjesë 72 shtete. Rezultatet e prezantuara më 6 dhjetor 2016 e renditën Kosovën në fund të listës bashkë me Perunë, Libanin, Tunizinë, Maqedoninë, Algjerinë dhe Republikën Dominikane.