Sot takimi Thaçi-Kurti

Takimi pritet të fillojë nga ora 15:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takohen sot në Zyrën e Presidencës, pas ftesës së tretë për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë nga ana e kreut të vendit.

“E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë, zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për datën 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres”, kishte thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se pret që në javët e para të janarit të arrihet një marrëveshje në mes partisë fituese dhe partnerit qeverisës, duke vënë kështu në vend vullnetin e qytetarëve.

Ndërsa, Kurti ditë më parë ka thënë se do të takohet me presidentin Thaçi, por ai nuk e përcakton datën e formimit të qeverisë.

“Mua vetëm LDK më përcakton datën e formimit të qeverisë”, ka thënë ai.

Përmes një komunikate nga presidenca sot është bërë e ditur se mediet do të mund të marrin pamje në fillim të takimit.

Përndryshe, para këtij takimi LDK do të mbajë dy mbledhje të rëndësishme, atë të kryesisë dhe të grupit parlamentar, e cila thuhet se do të jetë edhe lëvizja e fundit e LDK-së për të qartësuar qëndrimin e saj, karshi koalicionit me VV-në.

Mediat kanë raportuar se VV tanimë i ka bërë një ofertë LDK-së, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës si kryetar të Kuvendit, duke ofruar LDK-së t’i merr gjashtë ministri, kundrejt katër sa do t’i kishte Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërsa, në ofertë parashihet që presidenti t’i takojë LDK-së, dhe në momentin e zgjedhjes së kësaj pozite, atëherë partia e Isa Mustafës t’ia kthejë një ministri VV-së, duke u barazuar 5-5 sa i përket ministrive.

Back to top button