Do të diskutohet për mundësinë e arritjes së një koalicioni

Do të diskutohet për mundësinë e arritjes së një koalicioni

Sot pritet të takohen delegacione të nivelit të lartë politik në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të shqyrtuar mundësinë e arritjes së një koalicioni për bashkëqeverisje.

Këtë takim e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlin Manxhuka. “Po sot mbahet takimi”, është përgjigjur shkurt Manxhuka.

Ky takim në mes të VV-së dhe LDK-së vjen një ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

Nërsa dje Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se të hënën do të arrihet marrëveshja e koalicionit qeverisës me LDK-në.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa për herë të fundit janë takaur më 22 nëntor.  Në këtë takim është diskutuar për të arriturat e deritanishme të grupeve punuese por edhe për ndarjen e posteve udhëheqëse, në përjashtim të postit të presidentit.

Partia me më së shumti vota është Lëvizja Vetëvendosje, e dyta LDK-ja, e treta PDK, pas PDK-së vjen koalicioni AAK-PSD, dhe pas tyre Lista Serbe. Koalicioni Nisma Socialdemokrate-Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë përfundimisht bëhet pjesë e kuvendit të Kosovës. /21Media