Shënohet dita e Mjedisti

Shënohet dita e Mjedisti

Sot është Dita Botërore e Mjedisit, e cila u caktua në vitin 1972 nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së. Qëllimi i kësaj dite është për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, do të shënojnë Ditën Botërore të Mjedisit me një sërë aktivitetesh ndërsa manifestimi qendror do të mbahet në parkun e Gërmisë, me fillim në ora 11:00.

UNDP do të ketë tendën ku do të prezantojë projektet dhe iniciativat që janë ndërmarrë për mbrojtjen e mjedisit, zvogëlimin e rrezikut nga fatkeqësitë dhe me fokus të veçantë në  vetëdijesimin e qytetarëve për të luftuar ndotjen e ajrit. Gjatë aktiviteteve do të shpërndahen edhe materiale promovuese të projekteve përfshirë edhe shiritat e gjelbër – “Green Ribbons”. Të gjithë ata që bëhen pronarë të Green Ribbon zotohen ta mbrojnë mjedisin ku jetojnë. Në ngjarje do të marrin pjesë Fatmir Matoshi, minstër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Meelis Munt, Zv.ministër i Mjedisit nga Estonia, Alessandra Roccasalvo, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, Shyqiri Bytyqi, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shpend Ahmeti, Kryetar i Komunës së Prishtinës, Thomas De Groote, drejtor i “River Cleanup”, përfaqësues të institucioneve, OJQ-ve mjedisore, aktivistë dhe mysafirë.

Në kuadër të kësaj dite, Institucioni i Avokatit të Popullit dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, sot mbajnë tryezën me temën “Mjedisi i sigurt dhe i shëndetshëm – e drejtë e njeriut dhe përgjegjësi kushtetuese”. Aty do të diskutohet rreth rëndësisë së bashkëpunimit ndërinstitucional për një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm në Republikën e Kosovës. Tryeza ka për qëllim të vë në pah rëndësinë e bashkëpunimit të institucioneve publike me Avokatin e Popullit dhe Auditorin e Përgjithshëm në zbatimin e rekomandimeve adresuar institucioneve të nivelit qendror dhe nivelit lokal me qëllim të përmirësimit të gjendjes së mjedisit në vend. Tryeza mbahet me fillim prej orës 10:00 në Hotelin Emerald në Prishtinë.

5 maj u zgjodh si  Dita Botërore e Mjedisit sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara. /21Media