Haradinaj: Nga sot fillon historia

Haradinaj: Nga sot fillon historia

SOWI Kosova, një projekt në energjinë e ripërtëritshme të erës në vlerë prej 169 milionë euro, investim gjermano-izrealit në partneritet me Kosovën, është investimi i parë strategjik që ka përmbushur kriteret. Kështu është bërë e ditur në takimin e Këshillit Ndërministror për Investime Strategjike, ku po ashtu është e bërë e ditur se janë 12 aplikacione që janë duke u shqyrtuar në vlerë prej 2 miliardë euro.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nga sot po fillon historia.

“Me investitorin e parë strategjik. Dëshiroj të falënderoj qeverinë Mustafa që ka kryer detyrat e asaj kohe për punën që e kanë bërë. Nga sot mund të themi që filloj historia. Është shumë me rëndësi që të themi se një kompani i ka përmbushur parametrat e para për shqyrtim. U tha që është investimi më i madh në energjinë e ripërtëritshme.”, ka thënë ai.

Ndërkohë që ka pasur kritika që në këtë takim kanë munguar ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ai i Zhvillimit Ekonomik.

“Nuk duhet me vazhdua kështu, një projekt si ky takimet e kësaj natyre duhet të marrin pjesë.”, ka thënë ai.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka thënë se ky është invesimi i huaj direkt më i madhi në Kosovë.

“Deri me tash kemi 12 aplikime për investime strategjike që kanë treguar diku rreth 2 miliardë euro. Sot ju njoftoj se aplikuesi në aspektin teknik ka përmbushur kriteret. Është investim 169 milionë euro dhe ky është investimi i huaj direkt më i madh në Kosovë. Dua të iu siguroj se MTI qëndron me përgjegjësi të plotë.”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit të Këshillit Ndërministror për Investime Strategjike, në një konferencë për media i është përgjigjur deklaratës së kreut të shtetit, “Bora ka zënë të shkrihet shpejt…Uroj të mos bëhet skllotë”. Sipas Haradinajt, është shumë e vështirë të komentohet ajo çka ka thënë Thaçi, sepse nuk dihet për çka e ka pasur fjalën.