Nën hijen e krizës me Kataloninë

Nën hijen e krizës me Kataloninë

Familja mbretërore e Spanjës mori pjesë në ceremonitë e organizuara sot me rastin e Ditës Kombëtare të vendit, të cilat u zhvilluan në momentin kur kriza për shkak të referendumit për pavarësi të rajonit të Katalonisë ka arritur pikën e vlimit.

Kjo shfaqje publike e unitetit vjen vetëm një ditë pasi që kryeministri i Spanjës, Mariano Rahoj, deklaroi para deputetëve në Parlament se vendi po përballet me kërcënimin më serioz që nga rivendosja e demokracisë në vend para më shumë se katër dekadave.

Ai i dha pesë ditë afat udhëheqësve në Kataloni që të qartësojnë se a e kanë shpallur apo jo pavarësinë.

Autoritetet në Madrid kanë kërcënuar se do të shfuqizojnë autonominë e Katalonisë dhe se do të vendosin kontrollin e drejtpërdrejt mbi këtë rajon. Dita Kombëtare është një festë dhe shënon ripushtimin e Spanjës nga të krishterët dhe zbulimin e Amerikës nga Kristofer Kolumbo në vitin 1492, shkruan rtv21.tv

Parada pati në Madrid dhe ceremoni dhe ngjarja tjera u zhvilluan anembanë vendit.

Megjithatë, ceremonitë e sotme u zhvilluan nën hijën e krizës politike, e cila u thellua pas referendumit për pavarësi në Kataloni, i cili u zhvillua më 1 tetor, referendum ky i cili u shpall i paligjshëm nga Gjykata Supreme e Spanjës. Në referendum morën pjesë 43 për qind e katalonasve me të drejtë vote, me 90 për qind prej tyre që votuan në favor të pavarësisë.

Të martën, Presidenti i Katalonisë, Carles Puigdemont, nënshkroi në Barcelonë deklaratën e pavarësisë, por menjëherë kërkoi nga Parlamenti që të pezulloi shpalljen e saj, për të mundësuar dialogun me Madridin zyrtar.

Pas ultimatumit nga ana e Qeverisë spanjolle, Puigdemont ka kohë që deri të hënën, më 16 tetor, të qartësoi se a e ka shpallur pavarësinë dhe nëse ai pohon se e ka bërë këtë, atëherë do të ketë tri ditë tjera në dispozicion, deri te enjten më 19 tetor, që ta tërheq deklaratën e pavarësisë. Nëse nuk e bën, atëherë Madridi do të aktivizoi nenin 155 të kushtetutës, i cili i mundëson që të suspendoi autonominë e Katalonisë dhe të vendos pushtetin e drejtpërdrejt mbi këtë rajon./21Media