Lladrovci do të intervistohet në muajin nëntor

Lladrovci do të intervistohet në muajin nëntor

Gjykata Speciale e ka ftuar për në Hagë edhe kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci. Ai është ftuar në Speciale në cilësinë e dëshmitarit.

Lladrovci përmes një postimi në “Facebook”  ka njoftuar se do të intervistohet më 19 nëntor

“Valës së ftesave, nga Dhomat e specializuara, iu bashkova edhe unë, në cilësi të dëshmitarit. Nuk kam informata as dijeni më shumë se sa shkruan në ftesë. Data e dhënies së dëshmisë është më 19 nëntor 2019. Kurrë në jetë, as kam pasur hamendje as kam dilemë për drejtësinë e luftës tonë çlirimtare, rrugën e ndjekur deri në çlirim dhe për pastërtinë e saj shembullore. Përjetësisht krenar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!”, ka shkruar Lladrovci.

Dje edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka treguar se e ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000./21Media