Stefanova: Asnjëherë nuk i jam afruar Katicës

Stefanova: Asnjëherë nuk i jam afruar Katicës

Unë asnjëherë as nuk i jam afruar Katicës, që nga fillimi jam distancuar…”, u shpreh Lile Stefanova, prokurore në Prokurorinë Publike Speciale në Maqedoninë e Veriut.

Kjo është përgjigja e prokurores së speciales Lile Stefanova për shefen e saj të paraburgosur Katica Janeva.

Por si është të punohet në një institucion me shefe të dyshuar, të cilës më 15 shtator i skadon mandati?

Shefja është e dyshuar për krim para dy ditësh, kështu që punë në institucion me shef të dyshuar nuk ekziston, megjithatë unë dua të them se sot shohim pastrim me krimin dhe duhet të jemi krenarë më këtë, e se a ka qenë shefi ynë, koleg apo çfarëdo qoftë, aspak nuk është e rëndësishme”, tha Stefanova.

Ajo thotë se marrëveshja e Janevës me të dyshuarit ka mbetur në tentativë.

Pse keni propozuar që të ketë marrëveshje për Perandorinë dhe Bankën Postare ndërsa të dyshuarit të mos përgjigjen, vetëm t’i kthejnë paratë?

Ka kohë kur kjo do të sqarohet”, theksoi kryeprokurorja e Speciales në largim Katica Janeva.

Nuk ka pasur marrëveshje sepse nuk është sjellë vendim i tillë  por kishte qëllim që të ketë marrëveshje”, deklaroi Lile Stefanova, prokurore në Prokurorinë Speciale Publike.

Prokuroria Speciale është në ditët e saj më të vështira, pohon Stefanova, duke kërkuar zgjidhje sa më të shpejtë.

Prokuroria Publike Speciale në këtë moment gjendet në situatën më të vështirë që  ka pasur nga themelimi e deri më sot, andaj apeloj, politikanët, të gjithë aktorët në shtet, të ulen dhe ta sjellin ligjin për Prokurorinë Publike që të mos kemi ndërprerje të procedurave, jo vetëm të atyre që janë dhënë në gjykatë, ne kemi hetime serioze, dhe me mosjelljen e ligjit, mospasjen e autorizimit apo ngritjen e pyetjes se a kemi autorizim, i japim krimit hapësirë të madhe”, theksoi Prokurorja.

Ligji për Prokurorinë do t’i japë të drejtë Prokurorisë së rregullt që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet për lëndët e PPS-së, thotë Stefanova, përfshirë edhe lëndën “Perandoria”, hetimi për të cilën ka ngecur pasi Gjykata Supreme dha mendim se pas 30 qershorit 2017 PPS nuk është më akuzues i autorizuar.

Stefanova thotë se nuk e ka në plan të konkurrojë për shefe të PPS-së, ndërsa e pyetur nëse ka shanse që të bien në ujë lëndët e Speciales për shkak të paraburgimit të Janevës, ajo deklaroi se një gjë e tillë nuk është e mundur sepse beson që 10 kolegët e saj prokurorë kanë punuar siç duhet, ndërsa siguron për pastërtinë e lëndëve të saj./TV21