Specialja prej javës tjetër e gatshme për aktakuza

Sot shpallet aktvendimi mbi Referimin e Rregullores së Procedurës dhe Provave të rishikuara

Nëse vendimi i Dhomës Speciale të Gjykatës Kushtetuese do të jetë pozitiv të mërkurën (sot), rregullat do të hyjnë në fuqi 7 ditë pas. Në atë kohë Dhomat e Specializuara të Kosovës do të jenë në pozitë për t’i pranuar akuzat e para. Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes.

Dhomat e Specializuara mund të jenë të gatshme edhe ligjërisht që t’i pranojnë akuzat e para brenda shtatë ditëve nëse Gjykata Kushtetuese e shpall pozitiv aktvendimin në lidhje me kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave.

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese pritet që sot, në orën 12:00, ta shpallë aktvendimin mbi Referimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave të rishikuara.

Shqiptimin e aktvendimit në lidhje me kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, miratuar nga gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës, do ta bëjë kryetarja e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja An Pauwr-Ford.

Shpallja e vendimit do të bëhet në orën 12:00 në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Back to top button