Spitalet që shkëmbejnë mostrat me dronë

Droni do të fluturojë në mënyrë autonome

Disa spitale në qytetin zviceran Lugano do të testojnë përdorimin e dronëve për të transportuar mostrat laboratorike.

Që nga mesi i muajit mars, logjistika e kompanisë Swiss Post ka operuar më shumë se 70 teste të fluturimeve ndërmjet dy spitaleve dhe sot ka bërë të ditur se planifikon që të vendosë shërbimin e rregullt deri në vitin 2018.

Operimi i dronëve në qytete është veçanërisht sfidues për shkak të rrezikut nga lëndimi i civilëve, por Swiss Post thotë se ka punuar me rregullatorin e aviacionit të shtetit, FOCA, që nga fillimi i testeve në fillim të këtij viti.

“Përdorimi i rregullt i dronëve ndërmjet dy spitaleve do të bëhet çdo ditë”, thuhet në komunikatën e Swiss Post.

“Stafi i trajnuar i spitalit do të jetë i aftësuar për të lansuar dronin në mënyrë të pavarur me një kuti të sigurisë, në të cilën do të jenë të paketuara mostrat e laboratorit dhe do të lansojnë dronin përmes aplikacionit të telefonit të mençur. Droni do të fillojë të fluturojë në mënyrë autonome përgjatë rrugës së paradefinuar deri te destinacioni i tij, ku kutia do të mund të pranohet nga anëtari tjetër i stafit”, thuhet më tej në komunikatë.

Dronët janë prodhim i kompanisë amerikane Matternet dhe kanë kapacitet ngarkimi deri në dy kilogramë, si dhe mund të fluturojnë deri në 20 kilometra, me një shpejtësi prej 36 kilometra në orë.

Sensorët me rreze të kuqe përdoren për nisjen dhe aterrimin e dronit, ndërsa për raste urgjente droni ka parashutën për të siguruar se do të zbresë i sigurt në tokë.

Back to top button