Stacioni i autobusëve tani pa barriera

Pas largimit të taksave, largohen edhe rrethojat

Pas shfuqizimit të vendimit për taksen që qytetarët paguanin për të hyrë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, janë larguar edhe rrethojat e vendosur.

Vendimi i largimit të taksës 0.10 cent, 0.50 cent dhe 1 euro ishte marrë nga Bordi i Drejtorëve të Stacionit si dhe pas rekomandimit të Komisionit të aksionarëve në Komunën e Prishtinës.

Vendimi ka hyrë në fuqi më 14 dhjetor të këtij viti.

Vendosja e rrethojave në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë dhe projekti për shitjen e biletave hyrëse në këtë stacion kishte ngjallur ankesa të shumta si nga qytetarët, ashtu edhe nga kompanitë e autobusëve, shkruan rtv21.tv.

Më 14 nëntor është shkarkuar bordi i Stacionit të Autobusëve dhe menjëherë  janë emëruar anëtarë të rinj.

Taksa për të hyrë në Stacionin e Autobusëve ishte vendosur prej 17 shtatorit të vitit 2017.

Për këtë vendim drejtuesit e stacionit patën thënë se e kanë marrë për ta funksionalizuar shitjen e biletave digjitale, ndërsa Sindikata e Transportueseve Rrugor të Udhëtimeve pagesën prej 10 centëve që e bëjnë qytetarët e konsideruan të panevojshme./21Media

 

Back to top button