"Kryetari i Prishtinës asnjë info për këtë çështje..."

“Kryetari i Prishtinës asnjë info për këtë çështje…”

Trajneri i njohur kosovar, Driton Kuka njoftoi se statuja e kampiones olimpike, xhudistes kosovare Majlinda Kelmendit do të vijë në Kosovë.

Por, ende nuk është caktuar lokacioni se ku do të vendoset statuja. Kuka përmes një postimi në facebook sot theksoi se kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk ka dhënë asnjë informacion lidhur me këtë çështje.

“Statuja e Majlindes po vjen në Kosovë.
Kërkesa e jonë nëpërmes Ministrisë drejtuar Komunës së Prishtinës qysh në muajt e veres deri sot ka mbet pa përgjegje!
E kemi menduar Statujen të ngritet në kryeqytet si Kampionja e parë dhe e vetme Olimpike por kot!!!
Kryetari i Prishtinës asnjë info për këtë çështje…”, shkroi Kuka në facebook, ku bashkangjiti edhe e-mailin e pranuar drejtuesi i projektit për statujën, Jessie Schattner.

Lajmin se për Majlindën do të ndërtohet statujë e bronztë në New York, e pastaj do të sillet në Kosovë e kishte bërë të ditur Kuka në muajin korrik. 

Majlinda Kelmendi është e lindur më 9 maj të vitit 1991 ), e cila është xhudiste e njohur nga Peja. Majlinda ka fituar medalje të shumta gjatë karrierës së saj deri më tani.

Në vitin 2014, Majlinda ishte shpallur xhudistja më e mirë në botë në të gjitha kategoritë nga presidenti i FNXH, Marius Vizer. Për sukseset e saj të njëpasnjëshme, ajo në vitin 2014 ishte dekoruar nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga me titullin “Medalja Presidenciale e Meritave”. Ndërsa, në maj të vitit të kaluar, Presidenti Hashim Thaçi, Majlindës i ka ndarë pasaportën diplomatike.

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi njihet si krenaria e Kosovës./21Media