Stoltenberg u shpreh se Turqia është një aleat i rëndësishëm

Stoltenberg u shpreh se Turqia është një aleat i rëndësishëm

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg theksoi se asnjë vend i NATO-s nuk ka përjetuar sulme aq sa Turqia.

Në një deklaratë për gazetën “Bild am Sonntag”, Stoltenberg bëri të ditur se dhuna në veri të Sirisë ka filluar të ulet dhe se kjo mund të sjellë edhe përpjekjet për zgjidhje politike.

“Duhet të pranojmë se Turqia është një aleat i rëndësishëm. Turqia ka dhënë kontribut të madh në luftën kundër ISIS-it dhe në rrënimin fizik të kalifatit në fjalë. Asnjë vend aleat nuk ka pranuar refugjatë sirianë aq sa Turqia. Ajo ka pranuar 3,6 milionë sirianë dhe asnjë vend i NATO-s nuk ka përjetuar sulme aq sa Turqia”, theksoi Stoltenberg.

Pasi i është rikujtuar propozimi i ministres gjermane të Mbrojtjes, Annegret Kramp Karrenbauer për një zonë të sigurtë ndërkombëtare në veri të Sirisë, Stoltenberg deklaroi se e mirëpret këtë propozim dhe tërhoqi vëmendjen se për këtë çështje të gjitha vendet e botës kanë përgjegjësi për përfundimin e dhunës në Siri.

“Marrja e vendimit për dërgimin e ushtarëve në Siri nuk është e lehtë dhe është ende herët për të thënë se propozimi në fjalë është i zbatueshëm”, theksoi më tej Stoltenberg.

Ai shtoi se ka një forum ku vendet anëtare të NATO-s ndajnë hapur dhe në mënyrë serioze mendimet e tyre.