Stoltenberg i telefonoi Haradinajt, biseduan për Ushtrinë

“KFOR-i operon në bazë të mandatit të OKB-së dhe nuk do të preket nga ligjet mbi tranzicionin e FSK-së”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, pas miratimit të Kuvendit të Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri. Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për media, të lëshuar nga NATO.

Sipas komunikatës, bëhet e ditur se Stoltenberg i ka konfirmuar Haradinajt se Këshilli Veri-Atlantik ka zhvilluar një diskutim fillestar rreth ligjeve të miratuara për transformimin e FSK-së.

“Sekretari i Përgjithshëm e njoftoi z. Haradinaj se ndërsa mandati i FSK-së po evoluon, Këshilli Veri-Atlantik do të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në në vitin e ardhshëm”, bëhet e ditur në komunikatë.

Tutje theksohet se NATO do të vazhdojë me misionin e saj të KFOR-it për të siguruar ambient të sigurt në Kosovë.

“KFOR-i operon në bazë të mandatit të OKB-së dhe nuk do të preket nga ligjet mbi tranzicionin e FSK-së”, theksohet t’i ketë thënë Stoltenberg-Haradinajt, raporton kp.

Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor ka miratuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës. Janë miratuar tri ligjet për FSK-në: Ligji për Ministinë e Mbrojtes, Ligji për FSK-në dhe ligji për Shërbimin në Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Back to top button