Stoltenberg për situatën në veri: Veprimet tona do të jenë të matura, por të qarta

KFOR ka mbi 3 mijë e 700 trupa në Kosovë dhe është i përkushtuar ndaj mandatit të saj. KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë mjedis të rregullt dhe lëvizje të lirë për qytetarët në Kosovë. Kështu deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kur doli në foltoren e selisë në Bruksel, këtë herë përkrah kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Stoltenberg tha se inkurajon palën kosovare dhe atë serbe që të angazhohen për raundin e fundit të dialogut.
Sipas tij, Kosova duhet të demonstroj që është palë përgjegjëse.
“E çmoj që jeni këtu sot. Është me rendësi për NATO-n, që Kosova e Serbia të zgjidhin çështjet përmes dialogut”, tha Stoltenberg.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, bëri të ditur se në takim me sekretarin e NATO-s theksoi qëllimet e Qeverisë së Kosovës, që sipas tij, janë në përputhje me vlerat euroatlantike, shkruan rtv21.tv
“Dua të shpreh mirënjohje për NATO-n, për 23 vjet më radhë ofroi kontribut të jashtëzakonshëm. Kërkojmë anëtarësim në NATO, na mundëson të japim atë që vendet tjera na dhanë me vite të tëra te ne. Paqe e siguri”, u shpreh Kurti, duke shtuar “qëndrojmë së bashku dhe fuqishëm pranë jush”.
I pyetur se çfarë duhet të ndodhë, përveç barrikadave në veri, që KFOR-i të ndërhyjë, Stoltenberg tha se “NATO është në Kosovë, prania më e madhe ushtarake jashtë territorit të NATO-s dhe ne shprehim përkushtim për tejet të madh për paqen, për stabilitetin, për Ballkanin Perëndimor, për Kosovën si dhe një vendosmëri të aleatëve tanë, të ritheksuar në Samitin e NATO-s në Madrid, që do të përmbushim mandatin e OKB-së që është baza e pranisë sonë në Kosovë.  Trupa të trajnuara të udhëhequra mirë, vetëm prania  e këtyre trupave ndihmon në depërshkallëzim. Kemi demonstruar sa herë që mund të rrisim sigurinë me praninë tonë. Mund ta rrisim prapë praninë”.
“Veprimet tona do të jenë të matura, por të qarta. Do të bëjmë çdo gjë të nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e situatës”, përfundoi Stoltenberg./21Media

Back to top button