Stoltenberg prapë ka shprehur kundërshtimin e tij për transformimin e FSK-së

Sipas tij Kuvendi ka miratuar ligjet  “në kohë të papërshtatshme”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sërish ka shprehur kundërshtimin e tij për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Stoltenberg, përmes një deklarate ka thënë se vendimi i Kuvendit të Kosovës, për të miratuar tri ligje për Ushtrinë, vjen “në kohë të papërshtatshme”.

“Më vjen keq që ky vendim është marrë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO. Përderisa transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në parim është çështje për të cilën duhet të vendosë Kosova, ne e kemi bërë të qartë se kjo lëvizje vjen në kohën të papërshtatshme”, ka thënë Stoltenberg.

“NATO mbështet zhvillimin e FSK-së në mandatin aktual, dhe me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut tani duhet të rishqyrtojë nivelin e përfshirjes së NATO-s me FSK-në”, ka thënë shefi i NATO-s.

Stoltenberg i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të shmangin deklaratat të cilat, siç ka thënë ai, mund të çojnë në përshkallëzim të situatës.

“Të gjitha palët duhet të sigurojnë se vendimi i sotëm nuk do të rrisë më tej tensionet në rajon. Të gjithë akterët politikë në rajon duhet të fokusohen në arritjen e përparimit në reforma dhe dialog. E ripërsëris thirrjen time drejtuar Prishtinës dhe Beogradit të që vazhdojnë të jenë të qetë dhe të përmbahen nga çdo deklaratë ose veprim që mund të çojë në përshkallëzim. NATO vazhdon të mbështesë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, në mes të Prishtinës dhe Beogradit si zgjidhje e qëndrueshme politike për rajonin”, ka thënë Stoltenberg.

Shefi i NATO-s ka thënë se Aleanca do të vazhdojë që përmes trupave të KFOR-it të ofrojë ambient të sigurt të Kosovë dhe të sigurojë stabilitet në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor./rel

Back to top button