‘Stop vrasjeve – ne jemi Ermali’

Bahtiri u ka bërë thirrje institucioneve vendore që të dalin nga kjo krizë e dhunës, dhe të ketë sa më shumë paqe mes njerëzve

Me moton ‘Stop vrasjeve – ne jemi Ermali’, mijëra qytetarë kanë protestuar sot kundër dhunës e vrasjeve, si dhe parandalimin e dukurive të tilla në qytetin e Mitrovicës.

Ata dënuan ashpër vrasjen e 24 vjeçarit, Ermal Kamberaj që ndodhi dy ditë më parë, duke kërkuar vendosjen e sundimit të ligjit, hapa efikas në parandalimin e dhunës dhe dukurive të këtilla në këtë qytet, si dhe vënien sa më parë të dorasit para ligjit.

Gëzim Abrashi, në emër të Këshillit organizativ të këtij marshi protestues, duke cituar vargjet e Kutelit, tha se për 300 ditë në Mitrovicë shkuan tre të rinjë, njëri në vendin e punës, njëri para shkollës dhe tjetri vetë në shkollë.

Ai bëri thirrje familjarëve të të ndjerit për qetësi e durim, duke iu thënë atyre se qyteti i Mitrovicës do të jetë gjithmonë me ta.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, duke shprehur dhimbjen për Ermalin, ka bërë thirrje institucioneve vendore që të dalin nga kjo krizë e dhunës, dhe të ketë sa më shumë paqe mes njerëzve.

“Është krenari sot që këtë dënim të dhunës e shoh tek çdo familje e Mitrovicës…Ne si institucione bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, hetuesisë, por edhe gjyqësisë, o sot o kurrë, t’i ndalin këto krime të mallkuara, sepse ky vend është i ujitur me gjakun e dëshmorëve me qindra vite dhe kjo aromë e gjakut duhet të na përcjellë të gjithë neve të kemi vetëm një dalje prej krize dhe situate, paqa, dashuria mes njëri tjetrit, dhe jo armiqësia”, theksoi Bahtiri.

Në anën tjetër, avokati Musa Damati, ka potencuar se me kodin e ri penal, për raste të tilla parashihet edhe shqiptimi i dënimit me burgim të përjetshëm.

Sipas tij, politika ndëshkimore në praktikën gjyqësore të Kosovës duhet të avansojë, sepse vetëm shqiptimi i këtij lloji të sanksioni penal, mund t’i parandalojë veprat e tilla penale në shoqëri.

Marshi protestues që u organizua nga shoqëria civile në Mitrovicë, ka zgjatur rreth një orë, ndërsa nuk është shënuar ndonjë incident./21Media

Back to top button