Sot u protestua

Sot u protestua

U mbajt protesta e studentëve të Fakultetit të Edukimit, të pakënaqur me vendimin e MASHT-it për mospërfshirjen në konkurs të bursave dhe për vendimin e Senatit për afatin e nëntorit. Studentët me thirrjen “Stop Diskriminimit”, marshuan drejt Rektoratit dhe MASHT-it.

Në emër të studentëve në Fakultetin e Edukimit foli kryetari i studentëve, Shkodran Murturi.

“Ne si këshilli i Fakultetit të Edukimit, në krye me organizatën USPE, së bashku me kolegë, kemi dalë këtu para ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të kërkojmë me anë të kësaj proteste paqësore anulimin e vendimit për mospërfshirjen e Fakultetit të Edukimit në konkursin e shpallur për vitin akademik 2019/2020, na kanë mohu të drejtën për aplikim për bursat e vitit 2019/20, me pretendimin se ne si fakultet nuk jemi prioritar për arsye të tregut të punës”, tha Murturi.

Murturi tha se kërkojnë nga Ministria që ta rishqyrtojnë edhe njëherë lëndën dhe ta shohin se sa janë meritorë.

Sipas studentëve të Edukimit, në rast se ministri nuk e anulon vendimin, do ta bojkotojnë mësimin dhe do të vazhdojnë me kërkesa derisa të anulohet ky vendim.

Si shenjë kundërshtie ndaj vendimit për bursat edhe dje protestuan studentë të disa departamenteve të UP-së.

Në anën tjetër, MASHT-i edhe përkundër protestave të studentëve, dje përmes një njoftimi bëri të ditur se studentët e Fakultetit të Edukimit dhe të Arteve nuk do të mbështeten financiarisht nga MASHT-i. Ndërsa, u bë e ditur se për studentët e drejtimeve tjera që plotësojnë kriteret për bursa, do ta kenë shumën e njejtë, pra 880 euro./21Media