Studentët e Ekonomikut informohen për zhvillimet e MF-së

 Hoti tha se Ministria e Financave ka hartuar politika që kanë ndikuar në zhvillimin buxhetor

Ministri  Financave Avdullah Hoti, priti në takim studentët e degës së Ekonomisë të Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, ku i informoi ata për zhvillimet dhe proceset nëpër të cilat po kalon kjo ministri.

Hoti gjatë takimit me studentët theksoi se Ministria e Financave si promotor i zhvillimin ekonomik dhe financiar të vendit ka hartuar politika të cilat kanë ndikuar në zhvillime shumë të mira buxhetore.

“Tani më po ndihen efektet e pakos së parë fiskale e cila ka ndikuar dukshëm në zhvillimin e biznesit në vend, me theks të veçantë të prodhimtarisë. Në vazhdim të këtyre politikave zhvillimore dhe për të rrumbullakosur pothuajse në tërësi sektorin e tatimeve, Ministria e Financave  është në finalizim të Pakos së dytë fiskale e cila do të përmirësoj edhe më tutje klimën e të bërit biznes në Kosovë”, tha Hoti.

Ai bëri të ditur se reformat në fushën fiskale që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në këto dy vitet e fundit, përveç që kanë krijuar një ambient dhe insentiva të mira për zhvillimin e biznesit, ato kanë ndikuar edhe në gjenerimin më të mirë të të hyrave.

“Falë këtyre reformave që janë ndërmarrë deri më tani, sipas Raportit të fundit të Bankës Botërore për vitin 2016 “Të bërit biznes” rangimi ndërkombëtar i Kosovës është përmirësuar për 70 pozita në tri vitet e fundit”, shtoi Hoti.

Ministri i njoftoi studentët edhe për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, Buxhetin e Kosovës, Borxhin publik, për  rrjedhën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, si dhe për anëtarësimin Kosovë në Institucionet Financiare Ndërkombëtare.

Ndërsa,  studentet e Universitetit të Prishtinës duke  falënderuar Hotin për pritjen theksuan se vizitat si kjo janë shumë të rëndësishme për ta, për shkak se ndikojnë në pasurimin e dijes së tyre rreth institucioneve të shtetit të Kosovës e në veçanti të Ministrisë së Financave, e cila mund të jetë një ndër vendet ku ata dëshirojnë të punojnë në të ardhmen./21Media

Back to top button