Studentët e FSHMN-së letër Haradinajt dhe Veselit

Studentët ju bëjnë ftesë të hapur për vizitë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore

Studentët i janë drejtuar kryeministrit, Ramush Haradinaj e kryeparlamentarit, Kadri Veseli me letër të hapur për të kërkuar nga ta zgjidhje të problemit pas vendimit të Këshillit të Fakultetit të Shkencave Matematikë-natyrore për bojkotim të mësimit në semestrin veror.

Dy kërkesat kryesore janë ndërtimi i objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore si dhe rikthimi i drejtimeve arsimore në fakultet.

Përmes një letre studentët janë shprehur se nga Haradinaj dhe Veseli kërkojnë që fuqinë e tyre vendimmarrëse ta vënë në funksion të realizimit të kërkesave të tyre.

Studentët, ndër tjera kanë shprehur shqetësimin e ata po i ndjanë hapsirat e Fakultetit të Filologjisë, ku 60% i takojnë këtij fakulteti  ndërsa pjesa tjetër i takon FSHMN-së, që sipas tyre Në këto hapësira nuk është i mundshëm as investimi për shkak të gjendjes së tyre të parimëkëmbshme.

Në fund të letrës është bërë e ditur se studentët janë të detyryar të ndërmarrin disa veprime konkrete për mbrojtjen e interesave.

“Letër e Hapur drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli:

I nderuar kryeministër Haradinaj,

I nderuar kryeparlamentar Veseli,

Më lejoni që në emër të studentëve të FSHMN-së, të ju shkruaj në mënyrë të hapur për shqetësimet tona kryesore, e me të cilat është e lidhur ngushtë edhe cilësia e studimeve tona.

Këto shqetësime tashmë të konkretizuara e artikuluara përmes kërkesave, peticioneve e të gjitha formave tjera demokratike, duke përfshirë edhe protestat, janë:

1. Ndërtimi i objektit të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore si dhe

2. Rikthimi i drejtimeve arsimore në fakultetin tonë.

Paraprakisht, dua t’ju vë në dijeni se nga ju kërkojmë që fuqinë tuaj vendimmarrëse ta vini në funksion të realizimit të kërkesave tona.

Ne, studentët dhe profesorët e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, e zhvillojmë veprimtarinë tonë mësimore (teorike dhe laboratorike) në hapësirat e një ndërtese që as për së afërmi nuk i plotëson kushtet minimale. Jo vetëm në aspektin e sipërfaqes, por edhe të gjendjes fizike të sallave mësimore dhe laboratorëve punues. Nga të gjitha raportet e vlerësimit të akreditimit një prej rekomandimeve kyçe të ekspertëve ka qenë SIGURIMI I OBJEKTIT për funksionimin në kushte normale të FSHMN-së. Në veçanti duhet përmendur Departamentin e Biologjisë dhe atë të Kimisë ku aktivitetet laboratorike zhvillohen si në kushte të mesjetës, në hapësira ku mes tjerash rrezikohet edhe shëndeti i studentëve dhe mësimdhënësve. E gjihë kjo dëshmohet edhe nga Raportet e Inspektoratit të AVUK. Por vlenë të theksohet se as departamentet tjera si ai i Fizikës, Gjeografisë dhe Matematikës nuk janë në gjendje çfarë do të duhej të ishin në kohën kur bota akademike shkencore merret me përcjelljen e ndryshimeve në avancime ditore. Nuk dua të ndalem në faktin që në laboratorët ekzistues mësimor dhe hulumtues në FSHMN, jo vetëm që mungojnë pajisjet dhe aparaturat e avancuara për mësimin praktik-eksperimental dhe kërkim shkencor por edhe ato bazike për punë eksperimentale në ushtrime të rëndomta me studentë.

Ne bashkëstudiojmë dhe ndajmë hapësirat në objektin e Fakultetit të Filologjisë, ku 60% i takojnë këtij fakulteti , ndërsa pjesa tjetër i takon FSHMN-së e që përfshinë kryesisht bodrumet e objektit. Në këto hapësira nuk është i mundshëm as investimi për shkak të gjendjes së tyre të parimëkëmbshme. Duke qenë se ka vështirësi të mëdha në sigurimin e laboratorëve të IMPROVIZUAR, sallave të ligjëratave, atëherë bibliotekat tek ne janë inekzistente.

Pavarësisht gjithë kësaj, falë punës vetëmohuese dhe entuziazmit maksimal, studentët e FSHMN-së po arrijnë rezultate kulminante në të gjitha fushat e kërkimit. Për këtë flasin shifrat për studentë bursist, si në shkallë vendi ashtu edhe jashtë, mobilitetet në programet e ndryshme si dhe paraqitjet në tribuna të ndryshme shkencore.

Ku e marrim gjithë këtë energji dhe motivim për të arritur gjithë këtë sukses në këso kushte dhe ambiente punuese?

Për më tepër, sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo që u tha më sipër, për habinë e të gjithëve, Qeveria e vendit na vendos para edhe barriera tjera përmes akteve normative me të cilat na shuan pothuajse të vetmin burim të punësimit.

Kështu, në vitin 2012 Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë nxjerrë vendimin Nr.191/01B, dt. 16. 07. 2012. Sipas këtij vendimi, të gjitha programet që përgatisin mësimdhënësit e ardhshëm duhet të përfundojnë masterin në Fakultetin e Edukimit.

Këshilli Studentor i FSHMN-së tash e një kohë po vazhdon avokimin e kërkesës për rikthimin e drejtimeve arsimore në FSHMN. Fillimisht kjo punë u është lënë në dorë drejtuesve të UP-së dhe të fakultetit. Sipas informacioneve tona, drejtuesit e UP nuk kanë bërë as hapin më të vogël në këtë drejtim, përderisa ata të FSHMN-së edhe përkundër faktit që e kanë zbatuar në tërësi vendimin, të njëjtin e kanë kundërshtuar me rrugë institucionale.

Ne si studentë, duke parë plogështinë e veprimit dhe pagatishmërinë e MASHT-it për gjetjen e një zgjidhjeje për studentët e diplomuar në FSHMN, si dhe Komunës së Prishtinës për cështjen e objektit, jemi detyruar të ndërmarrim veprimet konkrete për mbrojtjen e interesave tona.

Ka vite që të gjitha përpjekjet e thirrjet e studentëve injorohen totalisht. Ndaj, vendimi i Këshillit të FSHMN-së për bojkot të semestrit veror, vjen si rrjedhojë e indiferencës së organeve shtetërore. Ky vendim, nuk i favorizon aspak studentët e as stafin akademik por është mjeti jonë i fundit demokratik, për të arritur përmbushjen e kërkesave tona që nuk janë asgjë tjetër pos legjitime.

Për t’u kuptimësuar e tërë kjo, ne ju bëjmë ftesë të hapur për vizitë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, që ju të bëheni dëshmitarë të realitetit që tash e dhjetëra vite zihet në bodrumet e këtij objekti.

Florian Bivolaku – Nënkryetar i Parë i Asamblesë së Përgjithshme së USK-së”, është shkruar në letrën e studentëve.

 

Back to top button