Ahmeti: Objekti i FSHMN-së të ndërtohet në afërsi të Fakultetit Teknik

Ahmeti: Objekti i FSHMN-së të ndërtohet në afërsi të Fakultetit Teknik

Studentët e FSHMN-së sot në mesditë kanë protestuar për të kërkuar ndërtimin e një objekti për këtë fakultet, ku çështja e vendit të ndërtimit të këtij objekti i ka gjetur të ndarë ata dhe kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ata kërkonin me ngulm që ky objekt të ndërtohet në hapësirën e kampusit universitar, ndërsa Ahmeti tha se aty nuk ka hapësirë të mjaftueshme.

Kreu i Prishtinës tha se ka dhënë zgjidhjen më të mirë të mundshme për këtë çështje, që objekti i FSHMN-së të ndërtohet në afërsi të Fakultetit Teknik, por është Ministria e Kulturës ajo që duhet të heqë dorë nga ideja e ndërtimit të Pallatit të Operës në atë hapësirë.

Sipas Ahmetit, komuna e Prishtinës ka dhënë edhe opsione të tjera, të cilat nuk janë marrë parasysh nga FSHMN-ja, me qenë se kjo e fundit do me çdo kusht ndërtimin e këtij objekti në hapësirën e kampusit universitar.

“Aty është vendi për objektin. Aty është hapësira për objektin. Aty është e paraparë me plan rregullues që të ndërtohet objekti i FSHMN-së. Krejt çka duhet të bëhet është që Ministria e Kulturës të heq dorë nga Pallati i Operës sepse nuk e ka vendin aty, e pastaj ne të procedojmë me planet rregullative që i kemi. As unë as çfarëdo kryetari nuk mund të veprojë në kundërshtim me planet rregullative të cilat i ka kaluar kuvendi komunal”, tha Ahmeti.

Meqenëse studentët protestues së bashku me dekanin e FSHMN-së, Tahir Arbneshi, kërkonin me ngulm që ky objekt të ndërtohet në hapësirën e kampusit universitar, Ahmeti tha se nëse këta të fundit do të merrnin pjesë në seancën për Kishën Ortodokse në hapësirën e UP-së, do të kishte mundësi të mendohej ndërtimi i këtij objekti në kuadër të kampusit.

“Kur po flas unë për katër hektarë aty, ju nuk keni shkuar në seancë, të Kishës Ortodokse. Pse nuk keni shkua në seancë për këtë? Nuk është moti prorektor. 4 hektarë aty që do të na kishin dhënë zgjidhje me mendua neve për kampusin universitar. Nuk keni kërkua tokë tjetërkund”, tha Ahmeti.

Ndërsa, dekani i FSHMN-së, Tahir Arbneshi tha se e falënderojnë kryetarin Ahmeti për fjalët e thëna, porse durimi i studentëve ka fund.

“Këto fjalë mua, kryetari i Komunës m’i ka thënë kur rektor ka qenë Ramadan Zejnullahu. Dhe nëse nuk harron kryetari, ka thënë vitin tjetër në mars, do të fillohet me punë”, tha ai.

Sipas studentëve, komuna e Prishtinës nuk është përgjigjur në asnjë kërkesë të tyre përgjatë viteve 2015-17, porse tek tash vonë kanë kthyer një përgjigje ku thonë se nuk mund të ndërtohet objekti i FSHMN-së në kampusin universitar, sepse vendi është pronë e Institutit Albanologjik.

Ndryshe, institucioneve të Kosovës u është dhënë afat nga protestuesit, që deri më 16 shkurt të vitit 2018, të reflektojnë për të zgjidhur këtë problem, përndryshe paralajmëruan bojkot.

Ndërsa me idenë e kryetarit Ahmeti, mbetet që këtë të hënë, në orën 14, të gjithë së bashku të takohen dhe të gjejnë një zgjidhje për ndërtimin e këtij objekti.