Studentët e ngujuar nuk dorëzohen: Protesta do të vazhdojë

Grupi i studentëve që është ngujuar te Fakulteti Ekonomik në Tiranë, nuk ka ndërmend të dorëzohet

Pas një mbledhje mbrëmjen e sotme te ‘Ekonomiku’ përmes një deklarate njoftuan se protesta do të vijojë.

Studentët e Fakultetit të Ekonomikut kanë vendosur të vazhdojnë protestën. Ata i bëjnë thirrje policisë së shtetit dhe sigurisë private që të mos u shtrojnë dhunë mbi ta. Ndërkohë ftojnë të gjithë studentët që t’i bashkohen kauzës së tyre. Sipas studentëve protesta do të vazhdojë derisa të plotësohen 8 kërkesat

Ata u shprehën se kërkesat e tyre nuk janë plotësuar, andaj do të vijojnë me bojkotin e mësimit, ngujimin në fakultete dhe protestën.

Po ashtu, sot në mbrëmje një grup studentësh të Mjekësisë janë solidarizuar me studentët e tjerë, duke iu bashkuar ngujimit tek Fakulteti i Ekonomikut.

Studentët janë shprehur njëzëri se nuk do të futen në mësim dhe kërkojnë që kryeministri Edi Rama të plotësojë të gjitha kërkesat e parashtruara që në fillim të muajit dhjetor, e këtë duhet ta bëjë me ligj, pasi ata shprehen se nëse nuk miratohen me ligj, nuk kanë besim.

Duket se strategjia e studentëve ka ndryshuar, pasi kanë hequr dorë nga protestat në rrugë dhe para kryeministrisë, për të vazhduar bojkotin në auditorët e fakulteteve, ku nuk përjashtohet mundësia edhe e nisjes së një greve urie, deri në plotësimin e kërkesave pa asnjë kusht.

Back to top button